Trepça e Rahoveci i kanë fituar lehtë ndeshjet e xhiros së tetë të Superligës së Kosovës në hendboll. Të dielën në “Minatori”, Trepça e mposhti Kastriotin e Ferizaj me rezultat 40:30. Mitrovicasit kanë dominuar plotësisht dhe u janë revanshuar ferizajasve për humbjen që ua shkaktuan në nismë të kampionatit.
Kapiteni Sali Maxhera si dhe Lulzim Shabani e Hamdi Salihu i shënuan nga tetë gola për Trepçën. Me shumë pritje u dallua edhe portieri Liridon Esati.
Tetë gola për Kastriotin i shënoi Festim Mustafa. Edhe më bindshëm fitoi Rahoveci ndaj Prishtinës. Ndeshja në Rahovec përfundoi 47:31 për skuadrën vendase. Adonit Isufi i shënoi 13 gola për Rahovecin. Nëntë gola të Prishtinës mbajnë firmën e Albi Gjukës.
Të shtunën, Besa Famgas fitoi ndaj Vushtrrisë me rezultat 39:21, ndërsa Deçani e mposhti Vëllaznimin në Gjakovë me shifrat 41:28. Rahoveci e Trepça udhëheqin me nga dhjetë pikë. Rahoveci i ka pesë ndeshje, ndërsa Trepça gjashtë. Për shkak të angazhimeve evropiane, Besa Famgas i ka luajtur vetëm katër ndeshje deri më tani. I ka fituar të gjitha.