Kastrioti – Besa Famgas është kryendeshja e xhiros së 14-të të Superligës së Kosovës në hendboll. Me këtë xhiro përfundon stinori vjeshtor në kampionatin e hendbollistëve, ndërsa derbi zhvillohet të shtunën nga ora 19:00 në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj.
Besa është kampione në fuqi dhe skuadër dominante e dekadës së fundit. Por ka pasur vështirësi në udhëtimet e fundit në Ferizaj, ndërsa këtë edicion tashmë i ka tri humbje. Humbjen e katërt synon t’ia shkaktojë Kastrioti, që po ka synime gjithnjë e më të mëdha këtë edicion. Pejanët udhëtojnë për pikë të reja dhe për të vazhduar garën për pozitën e parë. Vendasit shpresojnë të ndalin pikët për vete.
Besa Famgas është e dyta me 20 pikë. Kastrioti është i katërti me 16 pikë.
Tri ndeshjet e tjera janë të dielën. Ndeshja më e fortë pritet të jetë ajo mes Prishtinës dhe Trepçës, që zhvillohet nga ora 17:00 në Bardhosh. Trepça është e treta me 18 pikë. Prishtina është e pesta me 14 pikë.
Lideri i klasifikimit, Rahoveci, llogarit në dy pikë të reja. E pret Deçanin nga ora 18:00. Po nga ora 18:00 takohen edhe Vushtrria e Vëllaznimi. Rahoveci ka fituar të gjitha ndeshjet e deritashme dhe tashmë është skuadra kryesore në vend.