Besnik Hasi i është kthyer punës së trajnerit. Ish-futbollisti i Shqipërisë, ka marrë drejtimin e ekipit nga Belgjika, KV Mechelen. Hasi është zyrtarizuar të mërkurën te Mecheleni, ekip me të cilin ka firmosur kontratë deri në fund të këtij edicioni.
51-vjeçari ka qenë i papunë prej vitit të shkuar kur u largua nga ekipi i Arabisë Saudite, Al-Ahli.
Në njoftimin e Mechelenit, thuhet se Hasi do ta nisë punën prej të dielës. Hasi ka thënë se ndihet i lumtur që do të jetë në krye të Mechelenit dhe ka deklaruar se pret përkrahjen e madhe të tifozëve këtë edicion.
Aktualisht, Mecheleni është i 14-ti në elitën e futbollit belg me 12 pikë të tubuara pas 13 xhirove të zhvilluara. Hasi e njeh mirë futbollin belg pasi ka bërë karrierë si futbollist, por edhe zejen e trajnerit e ka nisur në këtë vend.
Si lojtar, Hasi ka luajtur për Genkun, Anderlechtin, Lokerenin e Cercle Bruggen.
Ndërsa, punën e trajnerit e ka nisur në vitin 2014 tek Anderlechti, ekip me të cilin e ka fituar titullin e kampionit dhe Superkupën e Belgjikës. Krahas Anderlechtit, Hasi si trajner ka punuar edhe te Legia e Varshavës, Olympiacosi e Al-Raed.