Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, ka vlerësuar se sportistët kosovarë që do të marrin pjesë në Lojërat Olimpike janë të gatshëm për pjesëmarrje.
Hasani në Express Intervistë ka thënë se sportistët e kanë edhe mbështetjen financiare nga KOK-u dhe institucionet e Kosovës.
“Sportistët me trajnerët i bëjnë planet katër vjeçare. Përgatitjet kanë qenë që të mbahen në 2020 por ato u shtynë për një vit për shkak të pandemisë dhe tash është dashtë që trajnerët me sportistët të bëjnë një riprogramim të tyre për të marrë pjesë. Të gjithë e synojnë pjesëmarrjen dhe marrjen e medaljeve në Lojërat Olimpike. Janë në fazën intensive të përgatitjen të gjithë sportistët dhe e kanë mbështetjen financiare të KOK-ut. Përveç bursave që i marrin që shkojnë deri në 1000 dollarë, ne mbështesim edhe me përgatitje. Deri në 80 ditë të gjithë sportistët me norma olimpike dhe ata që e ndjekin normën olimpike por që janë në mesin e 30 më të mirë u takojnë 80 ditë përgatitje nga Komiteti Olimpik”, tha Hasani.
Ai tha se 1/3 e buxhetit të KOK-ut nga i cili ndahet edhe për këta sportistë vjen nga sponsorët komercialë, një pjesë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe pjesë tjetër nga solidariteti olimpik.
“Edhe viti 2020 ka qenë mbështetje më e madhe se çdo vit tjetër për KOK-un nga shteti, pra për Lojërat Olimpike. Ata do ta kenë parasysh edhe këtë vit dhe do na mbështesin më tepër, por nuk jemi të varur vetëm nga qeveria dhe ministria, kemi edhe mbështetje të tjera. I kemi diku 10 sponsorë që na mbështesin financiarisht, 1/3 e buxhetit të KOK-ut vjen nga sponsorët komercialë, 1/3 nga ministria dhe 1/3 është nga solidariteti olimpik”, tha Hasani.
Megjithatë, Hasani thotë se sportistët kanë nevojë për mbështetje në karrierë të dyfishtë pasi vlerëson se jeta sportive është e shkurtë.
Ai ka treguar se janë pesë xhudistë në zonën olimpike, tre karateistë, dy nga boksi, një nga federata e notit dhe nga ajo e mundjes, teksa thotë se ka edhe pritshmëri.
“Pesë xhudistë janë në zonën olimpike dhe do ishte befasi nëse bie dikush nga ky pozicion. Kemi pritshmëri të tjera, një është Egzon Shala që ka arritë normën olimpike. Presim edhe nga karateja, janë tre sportistë të karatesë, dy nga boksi, nga federata e notit një sportist, nga mundja kemi po ashtu pritshmëri”, tha Hasani.