Sport

Hasani: Kam ende çka t’i jap komunitetit sportiv

Kreu aktual i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Besim Hasani, është optimist se do ta fitojë edhe një mandat tjetër. Hasani në krye të KOK-ut është që nga viti 1996, ndërsa thotë se ka ende çka t’i japë komunitetit sportiv. Ai është edhe kryetar i Federatës së Karlingut të Kosovës, i zgjedhur në vitin 2011, ndërsa ka qenë edhe sekretar i përgjithshëm i Federatës së Karatesë së Kosovës dhe Sportit të Kosovës. 

“Unë besoj se do ta fitoj këtë garë dhe do ta vazhdoj punën time. Jam optimist për këtë pasi kam ende çka t’i jap komunitetit sportiv”, ka thënë Hasani për KOHËN. Më poshtë mund t’i gjeni pikat kryesore të programit të Besim Hasanit.

Asambleja e Punës dhe ajo Zgjedhore e KOK-ut do të mbahet të enjten. 

Programi i kandidatit Besim Hasani

1. Kur jemi te sportistët, KOK vijon të përkujdeset në bashkëpunim me Komisionin e Sportistëve, që sportistët të edukohen për t’u shmangur, por edhe për t’u mbrojtur nga abuzimet e mundshme me përdorimin e dopingut dhe fiksimit të ndeshjeve.

2. Mbështetja e karrierës së dyfishtë për sportistët. KOK-u në bashkëpunim me Qeverinë dhe federatat sportive do të programojë për karrierë të dyfishtë. Lehtësim të regjistrimit të tyre në universitete publike. Në këtë drejtim do të shfrytëzojmë mjete financiare nga SO I KON.

3. Fuqizimi i rolit të sportistëve nëpërmjet përfshirjes së tyre në vendimmarrje, duke i emëruar në BE, në KOK dhe në komisionet e grupet punuese të KOK-ut. 

4. KOK-u do të krijojë shanse të barabarta për sportistët jo vetëm për gara dhe trajnime, por edhe duke përfaqësuar në pozita udhëheqëse brenda komisioneve të KOK-ut. 

5. Në frymën e mbrojtjes së sportistëve të pastër, KOK-u kërkon me ngulm që Agjencia Kombëtare për Antidoping e Kosovës të jetë efektive dhe efikase. 

6. KOK-u në bashkëpunim me FS do të përkujdeset që me veprime konkrete të sigurojnë se trajnerët dhe stafi do të mbrojnë shëndetin fizik dhe mental të sportistëve. 

7. KOK-u do të angazhohet për punësimin e sportistëve në kushte pune specifike.

8. KOK-u në bashkëpunim me ambasadat e huaja në Kosovë do të përkujdeset për lehtësimin e procedurave, për marrjen e vizave për sportistët e Kosovës.

9. KOK-u do të shfrytëzojë fondacionet ekzistuese, duke përfshirë Erasmus+Sport, SO të KON, burimet vetjake të KOK-ut nga partnerët dhe fonde të tjera për të mbështetur aktivitetet e sportistëve të Kosovës. 

10. Përfitimet nga kategorizimi i sportistëve për mbështetjen e tyre jo vetëm se arrijnë medalje në rrafshin ndërkombëtar, por edhe gjatë procesit të performancës së tyre në rritje. Kur kemi të bëjmë me trajnerët, KOK-u do të vazhdojë të investojë në zhvillimin e kapaciteteve të tyre duke organizuar kurse teknike të niveleve 1, 2, 3 etj. KOK-u do të përkujdeset për mbështetjen e tyre materiale dhe për punësimin e tyre. Vijojmë bashkëpunim me ministritë përkatëse të Qeverisë së Kosovës, për administratorë të sportit, kurse të organizuara me ndihmën e SO të KON-it.