Rrahman Haradini pranon se klubit të futbollit Prishtina për momentin i mungon shumëçka. Numëron telashet që ka aktualisht Prishtina.
Por kryetari i ri i klubit thotë se në një të ardhme të afërt Prishtina do të bëhet klubi më i madhi në Ballkan. Këtë thekson se do ta arrijë me angazhim dhe punë në terren.
Haradini të enjten mori mbi 80 për qind të aksioneve të klubit, ndërsa pas Kuvendit të Jashtëzakonshëm për KOHËN tha se do të punojë për t’ia kthyer namin që kishte dikur skuadra “bardhekaltër”.
“Unë besoj se Prishtina do të jetë klubi më i madh edhe në Ballkan sa u përket investimeve, lojtarëve e shkollës së futbollit”, ka thënë Haradini.
Haradini në klubin e futbollit Prishtina u angazhua në edicionit 2020/2021, kur për herë të fundit Prishtina doli kampione e Kosovës.
Suksese të mëdha Prishtina kishte me Remzi Ejupin në krye të klubit. Afaristi Ejupi u tërhoq nga klubi “bardhekaltër” pas gati dy dekadash. Tani Haradini është kryesori në klub.
“Prishtina ka qenë, është dhe do të mbetet klubi më i madh në rajon. Shpresojmë që me vullnetin tonë t'ia kthejmë reputacionin dhe ta kthejmë aty ku e ka vendin, të luajë në gara ndërkombëtare dhe, siç i ka hije një klubi me traditë”, ka theksuar Haradini.
Ai thekson se Prishtina është stabilizuar sa i takon obligimeve ndaj lojtarëve. Thotë se lojtarët dhe stafi i klubit i kanë marrë të gjitha pagat. Haradini premton se njëjtë do të jetë edhe në të ardhmen.
“Klubi i ka pasur disa mosmarrëveshje, anën financiare nuk e ka pasur stabile dhe tashmë nuk do ta ketë atë problem. Prej marrëveshjes që e kemi pasur me ish-aksionarët jemi me rroga në rregull. Nuk do të jetë temë nëpër televizione Prishtina për pagesa, borxhe. Do të bëjmë investime të mjaftueshme për ta mbajtur klubin”, është shprehur ai.
Haradini premton edhe rritje të buxhetit dhe cilësisë në ekip.
“Besoj se do ta rrisim edhe buxhetin e klubit, cilësinë e ekipit dhe menaxhmentin”.
Ai ka treguar se kanë hapur tender për përfundimin e punëve në fushën në Bërnicë. Prioritet nën drejtimin e tij do të jetë edhe ngritja e kapaciteteve në shkollën e futbollit.
“Ne duhet ta bëjmë kampion stërvitor, të investojmë në shkollën e futbollit dhe do të jetë ky prioritet në shkollë”, ka thënë Haradini.
Klubi 101-vjeçar, prej pavarësimit të futbollit të Kosovës gjatë viteve ‘90 numëron 11 tituj të kampionit, tetë Kupa e dhjetë Superkupa. Ka luajtur disa herë në Evropë.
Prishtina në gjashtë ndeshjet e edicionit aktual ka fituar nëntë pikë. Të dielën pësoi humbje nga Drita në Gjilan.