Lewis Hamiltonit iu deshën gati dy muaj për t'u rikuperuar emocionalisht nga finalja e diskutueshme e Formula 1, që i kushtoi atij me titullin rekord, të tetin në karrierë. Piloti i skuadrës së Mercedesit këmbënguli të premten se kurrë nuk e kishte menduar të largohej nga F1 në shenjë proteste pas asaj që i ndodhi në garën e fundit të sezonit të shkuar. Pasi pranoi rezultatet, Hamilton e la pas debaklin dhe filloi përgatitjet për sezonin e ardhshëm.
“Ndërsa momente të tilla mund të përcaktojnë karrierën, unë refuzoj ta lë këtë të përcaktojë timen”, tha Hamilton nga selia e skuderisë së Mercedesit në Brackley, Angli.
Hamilton dominoi në garën për Çmimin e Madh të Abu Dabit në dhjetor të vitit të shkuar dhe ishte pesë xhiro larg nga thyerja e rekordit për tituj të fituar. Por një përplasje e Nicholas Latifit solli një veturë kujdesi në shteg dhe vuri në lëvizje një sekuencë të furishme ngjarjesh që ndryshuan fundin.
Drejtori i garës, Michael Masi, ndryshoi mendje kur vendosi se si ta mbyllte garën dhe Max Verstappen, i cili ishte ndalur për të ndërruar gomat, u rendit i dyti pas Hamiltonit përpara se gara të rifillonte me një xhiro të mbetur. Hamilton me goma të vjetra kishte pak shanse për t’u mbrojtur nga Verstappeni që i kishte golat e freskëta dhe që tejkaloi ngasësin britanik për të fituar titullin e tij të parë botëror.
FIA njoftoi të enjten ndryshime gjithëpërfshirëse në procedurat e kontrollit të garave dhe e hoqi Masin nga posti i drejtorit të garës, pas një rishikimi të gjerë të finales së sezonit të shkuar. Mercedes ka pranuar rezultatet e rishikimit dhe Hamilton tha se është gati për një tjetër synim për t’u futur në librin e rekordeve.
Edhe
Latifi mori kërcënime me vdekje pas aksidentit në Abu Dhabi
Hamilton insistoi se nuk ka asnjë problem me Verstappenin dhe tregoi se ka qenë në kontakt për t'i ofruar “mbështetjen të plotë” Latifit, i cili mori kërcënime me vdekje pas finales së Abu Dabit.
“Unë nuk mbaj mëri me askënd. Unë kurrë nuk mendoj se kjo është një gjë e mirë për ta mbajtur në vete. Unë shkova përpara. Unë nuk ndalem në të kaluarën. Ndihem i përqendruar dhe plotësisht i fokusuar. Nuk kam asgjë mbi supe që më pengon këtë vit. Nëse mendoni se ajo që patë në fund të vitit të kaluar ishte më e mira nga unë, atëherë prisni ta shihni këtë vit”.
Hamilton fitoi tri gara rresht për t’u barazuar me Verstappenin në renditjen e përgjithshme dhe gara në Abu Dabi ishte vendimtare për titull. Ai dominoi garën dhe udhëhoqi në 51 nga 58 xhiro. Verstappen udhëhoqi vetëm në xhiron e fundit për të fituar titullin.
Hamilton dha vetëm një intervistë të shkurtër pasi u largua nga bolidi i tij, por u shfaq i tronditur në podium ndërsa Verstappeni dhe Red Bulli festonin. Hamiltoni anashkaloi konferencën e detyrueshme të shtypit pas garës, bojkotoi ceremoninë gala të përfundimit të sezonit dhe bëri vetëm një paraqitje publike - tri ditë pas garës kur ai mori titullin kalorës në Kështjellën Windsor.
Tërheqja e Hamiltonit nga syri i publikut bëri pak për të shuar spekulimet se ai ishte aq i pakënaqur sa po mendonte të largohej nga F1 pas 103 fitoreve në 15 sezone. Ai më në fund u rishfaq në fillim të këtij muaji me një postim në mediat sociale, më pas mori pjesë të premten në prezantimin e bolidit të Mercedesit për sezonin e ri. Hamilton pranoi pyetje për rreth 20 minuta të premten dhe tha se kaloi kohën pas Abu Dabit me të gjithë familjen e tij - një moment i rrallë që ata ishin të gjithë së bashku në të njëjtin vend. Ai tha se u përqendrua në të qenit i pranishëm te të dashurit e tij dhe nuk ka parë reprizën e garës, duke mos ndier asnjë dëshirë për të rishikuar ngjarjen.
Drejtori i ekipit të Mercedesit, Toto Wolff, tha se ai “kurrë nuk ishte i shqetësuar” se Hamiltoni do të tërhiqej.
“E dinim se duhej të merrte kohë për të reflektuar mbi gjërat dhe veçanërisht për të kuptuar se si do të kthehej në kuadrin e duhur mendor”, tha Wolff. “Mendoj se ajo që bëri ishte absolutisht e drejtë për ta nxjerrë veten nga mikroskopi i Formula 1 dhe u largua mënjanë. Ai është rikthyer me një mentalitet të shkëlqyer. Ai është pozitiv dhe i vendosur për sezonin e ri”.
Hamilton mbushi 37-vjet muajin e kaluar dhe do të jetë partner me pilotin tjetër britanik George Russell për sezonin e ri. Russell iu bashkua Mercedesit nga Williamsi. Hamilton tha se është më i përkushtuar se kurrë për të garuar për një titull tjetër.
Edhe
Zbulohet mesazhi i Hamiltonit ku thotë se gara në Abu Dhabi ishte e manipuluar
“Unë mendoj se në fund të sezoneve pyetja është nëse je i gatshëm të përkushtosh kohën, përpjekjen që duhet për të qenë kampion bote. E unë jam i gatshëm për një gjë të tillë. Në përgjithësi jam një person shumë i vendosur. Jam i fokusuar që të jem më i miri dhe të rikthehem më i fortë në sezonin e ri”.
Edicioni 2022 në Formula 1 nis më 22 mars në Bahrejn.