Sport

Haalandi, te Dortmundi për një kohë të gjatë

Drejtori i Borussia Dortmundit, Michael Zorc, i ka mohuar të gjitha spekulimet për transferimin e Erling Haalandit te Real Madridi.

Haaland është kthyer në njërin prej sulmuesve më të rrezikshëm në Evropë qëkur iu bashkua Dortmundit nga Salzburgu për 18 milionë funte në fillim të këtij viti.

20-vjeçari ka shënuar 33 gola në 31 paraqitje me Dortmundin në të gjitha garat, ndërsa dygolësh së fundmi realizoi në fitoren kundër Club Bruggeit në Ligën e Kampionëve.

“Planifikojmë kontratë afatgjate me Erlingun. Spekulimet nuk duhet marrë parasysh. E shoh atë për një kohë të gjatë me ne”, ka thënë drejtori Zorc në konferencën për shtyp para takimit me Kolnin të shtunën.