Sport

Haalandi në dyshim për ndeshjen me Liverpoolin

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka thënë se do ta përcjellë gjendjen e Erling Haalandit të shtunën, dhe do të vendos më pas nëse ai është plotësisht i gatshëm për duelin kundër Liverpoolit.

22-vjeçari Haaland nuk ishte pjesë e Norvegjisë në ndeshjet e muajit mars, për shkak të një lëndimi muskulor të cilin e mori në fitoren kundër Burnleyt në Kupën FA.

City do të jetë përfundimisht pa Phil Fodenin, i cili do të mungojë për tre javë për shkak të një operimi.

“Jeta është me rreziqe dhe ndonjëherë duhet të veprosh ashtu. Mjekët dhe sidomos lojtari, do të shohin se si ndjehet ai. Kemi shënuar shumë gola këtë sezon dhe Haalandi ka realizuar numër të jashtëzakonshëm golash. Por ne prej se kemi ardhur këtu, kemi realizuar shumë gola”, ka thënë të premten Guardiola, shkruan “BBC”.

Haalandi iu bashkua Cityt nga Borussia Dortmundi në qershor, për 51 milionë funte.

Ai ka shënuar 42 gola në 37 ndeshje të këtij sezoni.

28 gola i ka të realizuar në Premier League në vetëm 26 ndeshje të luajtura.

City është tetë pikë prapa liderit të Premier Leagues, Arsenalit, ndërsa e ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

Foden mund të jetë i gatshëm për Cityn në ndeshjen e parë çerekfinale kundër kampionit gjerman, Bayern Munichut, më 11 prill.

Ndeshja kthyese e çerekfinales luhet më 19 prill.