Skitarja zvicerane, Lara Gut-Behrami, ka dalë pozitiv në testin për Covid-19 dhe do të mungojë në katër gara të Kupës së Botës në Francë, kanë thënë zyrtarë nga skuadra e saj të premten.
Gut-Behrami, dy herë medaliste e artë e Kampionatit Botëror, tani është në izolim. Ajo e ka bërë testin PCR në Zvicër.
Ajo dhe dy zyrtarë të skuadrës të cilët dolën pozitiv, janë larguar nga Val d’Isere pasi kishin simptoma të lehta, thuhet në njoftimin e Federatës Skitare të Zvicrës.
Bashkëshortja e futbollistit shqiptar, Valon Behramit, ishte përgatitur të garonte në lëshim dhe në disiplinën Super-G këtë vikend në Val d’Isere, e më pas në dy gara në disiplina të sllallomit të madh afër Courchevelit, të martën dhe të mërkurën.
Gut-Behrami pritej të ishte e vaksinuar si kusht për të hyrë në Kanada muajin e kaluar për të marrë pjesë në garat e Kupës së Botës në “Lake Louise”.
Ajo ka fituar garën në disiplinën Super-G të shtunën e kaluar në St. Moritz të Zvicrës. Aktualisht është në pozitën e katërt në renditjen e përgjithshme, që udhëhiqet nga Mikaela Shiffrin.