Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola ka pranuar se portugezi Bernardo Silva mund të largohet gjatë miniafatit kalimtar të janarit.
Në fakt, Silva kishte kërkuar largimin nga City para fillimit të këtij edicioni, por që ekipi anglez ka refuzuar ofertat për të.
Guardiola ka thënë se Silva mund të largohet nëse nuk është i kënaqur te City.
“Unë dua që Bernardo të jetë i lumtur, qoftë këtu apo diku tjetër. Nëse ai dëshiron të largohet, atëherë klubi që do ta transferojë, do të marrë njërin prej lojtarëve më të mirë në botë”, është shprehur Guardiola.
Silva 27-vjeçar është pjesë e Cityt prej vitit 2017 kur iu bashkua nga Monaco dhe me ekipin anglez ka kontratë deri në vitin 2025. Këtë sezon, ai ka shënuar një gol në shtatë paraqitje për Cityn në të gjitha garat.