Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Guardiola: Ne jemi legjenda

Pep Guardiola e ka vlerësuar shumë lartë skuadrën e tij që të dielën fitoi titullin e kampionit të Premier Leagues. Guardiola ka thënë se të fitosh Premier Leaguen katër herë brenda pesë vjetësh është shumë e veçantë.

Manchester City në mënyrë dramatike e mbrojti titullin e kampionit të Anglisë. Përmbysi rezultatin për fitoren 3:2 në ndeshjen vendimtare ndaj Aston Villas. Madje përmbysjen e bëri në minutat e fundit.

“Momenti që gjetëm golin e parë ndryshoi çdo gjë. Kemi luajtur në kushte jo normale, por duhet ta përballojmë. Ne jemi legjenda. Kur e fiton Premier Leaguen katër herë brenda pesë vjetësh atëherë është e qartë se këta djem janë shumë, shumë të veçantë. Ne do të mbahemi mend. Titullin e parë e fituam me dallim të madh pikësh. Më pas në Brighton, më pas në shtëpi pa shikues. Tani me njerëz në stadium, është më i miri”, ka shtuar Guardiola.

Ai po ashtu ka vlerësuar lartë Liverpoolin.

“Madhështia e të arriturës definohet nga madhësia e rivalit tuaj. Nuk kam parë asnjëherë një ekip si Liverpooli. E di që është e vështirë, por urime për Liverpoolin. Na ka ndihmuar të jemi ekip më i mirë”.

Artikuj të ngjashëm