Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Gundogan: Një ditë e jashtëzakonshme

Ilkay Gundogan e ka vlerësuar të jashtëzakonshme ditën në të cilën Manchester City fitoi titullin e kampionit në Premier League. Për Cityn është titulli i gjashtë në Premier League, ndërsa i teti i Anglisë. Gundogan udhëhoqi rikthimin e madh të Cityt në ndeshjen ndaj Aston Villas. Ai shënoi dy gola për fitoren 3:2.

“Ishte një ndeshje e jashtëzakonshme. Nuk e di çka të them. Është fantastike. Sinqerisht, ne të gjithë jemi njerëz dhe pasi ishim në disavantazh 2:0, gjasat ishin shumë të vogla.

Por është dashur t’i bëjmë gjërat e thjeshta dhe pasi shënuam dy gola të shpejtë, kishim dhjetë minuta kohë për të tretin. Ne jemi krenarë me paraqitjen që kishim sot”, ka thënë Gundogan për Sky Sports.

“Kemi ndier tensionin. Ishte më shumë tension negativ se pozitiv kur ishim 2:0 prapa. Por kishte të bënte me shënimin e një gol dhe e kemi ditur se do të shënojmë të tjerë nëse e realizojmë të parin. Është prej atyre ditëve që i kujtojnë. Ishte ditë e jashtëzakonshme”, ka shtuar Gundogan.

Ai ka vlerësuar edhe Liverpoolin që e mbajti garën të hapur deri në minutat e fundit të ndeshjes së fundit.

“Nëse Liverpooli nuk do të luante futbollin e jashtëzakonshëm që e ka luajtur, nuk mendoj se kjo ligë do të ishte kaq atraktive. Ne kemi shtyrë njëri-tjetrin në limite. Ndonëse është ditë e keqe për Liverpoolin, duhet të çmojmë atë që ka bërë. Mezi presim të garojmë me këtë skuadër në edicionin e ardhshëm”, ka theksuar Gundogan.

Artikuj të ngjashëm