Të drejtat e grave janë kthyer në fokus ndërsa Përfaqësuesja e Iranit përgatitet për Kupën e Botës. Lojtarët e Iranit, që do të përballen me Anglinë, Uellsin dhe SHBA-në në Katar, kanë shprehur mbështetjen e tyre për të drejtat e grave iraniane, pavarësisht disa hezitimeve fillestare.
Në janar Irani u bë kryefjalë jo vetëm duke mposhtur Irakun 1:0 për t'u kualifikuar në Kupën e Botës për herën e tretë rresht, por edhe sepse 2000 gra u lejuan të ndiqnin ndeshjen në stadiumin “Azadi” në Teheran. Megjithatë, dy muaj më vonë gratë nuk u lejuan të merrnin pjesë në një ndeshje tjetër dhe thuhet se u dëbuan me dhunë nga policia. Gratë zakonisht e kanë të ndaluar të ndjekin ndeshjet e meshkujve dhe ngjarje të tjera sportive në Iran që nga revolucioni islamik i vitit 1979. Një grup i të drejtave të njeriut i ka bërë thirrje FIFA-s që të përjashtojë Iranin nga turneu në Katar. Thirrje të tillë së fundi bëri edhe Ukraina. Forcat e sigurisë kanë shtypur me dhunë protestat e fundit. Mehdi Taremi, sulmuesi që shënoi në fitoren ndaj Irakut, shkroi në Instagram se kishte “turp” të shihte video nga Irani të dhunës ndaj grave në rrugë.
Në fushë
Ndeshja e parë e Iranit në Botëror është shumë e vështirë. Më 21 nëntor do të luajë me Anglinë, përpara se të përballet me Uellsin katër ditë më vonë. Ndërsa fazën e grupeve e mbyll me një shfaqje tjetër, duelin kundër SHBA-së. Kjo ndeshje pos politike është edhe vendimtare për të dyja ekipet që të avancojnë në fazën e grupeve. Pas tërheqjes së shortit mediumet angleze kanë shkruar se Irani është kundërshtari më i dobët i Anglisë në grup.
“Edhe unë kam një ndjenjë të tillë, se jemi më të dobëtit dhe jam shumë i gëzuar që ndeshjen e parë do ta luajmë kundër Anglisë. Ne duam të luajmë kundër ekipeve më të mira në botë dhe ta dëshmojmë veten. Anglia është prej ekipeve më të mira në Evropë, ndërsa Irani prej më të mirave në Azi. Kështu që është mundësi e mirë të kemi një paraqitje madhështore”, tha përzgjedhësi i Iranit, Carlos Queiroz.
Përfaqësuesja e Iranit kurrë nuk ka avancuar përtej fazës së grupeve. Është paraqitur në pesë Botërorë, ndërsa debutoi në vitin 1978.
Dueli me SHBA-në dhe faktori Queiroz
Irani e ka mposhtur SHBA-në në Botërorin e vitit 1998 në njërën prej ndeshjeve më interesante të këtij turneu, kryesisht për shkak të sfondit politik. Kështu që përballja në Katar do t’i kthejë kujtimet e asaj ndeshjeje që përfundoi 2:1. Ishte fitorja e parë e Iranit në Botëror, ndërsa golat i shënuan Hamid Estili e Mehdi Mahdavikia. Mirëpo, as Irani e as SHBA-ja nuk avancuan nga grupi. Te Irani shpresat më të mëdha për këtë Botëror i kanë te sulmuesi Taremi. Këtë edicion Taremi po kalon formë të mirë te skuadra e Portos. Irani pritet të jetë pa Serdar Azmounin, i cili është lënduar në fillim të tetorit dhe pritet të mungojë të paktën tetë javë. Ai ka 41 gola në 65 ndeshje për Iranin. Në miqësoret e fundit, Irani ka mposhtur Uruguain (1:0) dhe ka barazuar me Senegalin (1:1).
Queiroz u rikthye në krye të Iranit në fillim të shtatorit për të zëvendësuar Dragan Skoçiqin. Ky do të jetë Botërori i katërt për Queirozin. Ai drejtoi Iranin në turnetë e viteve 2014 dhe 2018, si dhe Portugalinë në vitin 2010. Queiroz ka përdorur një sërë formacionesh dhe ka një taktikë të fokusuar në mbrojtje.
“Ne do të luajmë kundër disa prej lojtarëve më të mirë në botë, por ne do të jemi gati për ta”, tha ai.