Detyra është shumë e qartë për futbollistët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës - të mposhtin Iranin në ndeshjen e Kupës së Botës të ngarkuar politikisht, ose të kthehen në shtëpi. Amerikanët kanë insistuar se synimi i tyre është ta fitojnë ndeshjen për shkak se duan të vazhdojnë të luajnë në turneun e Katarit. Synimin e njëjtë e kanë edhe futbollistët e Iranit, në ndeshjen që zhvillohet të martën prej orës 20:00 në “Al Thumama Stadium”.
“Ne duhet të avancojmë nga grupi ynë në çdo mënyrë”, tha të hënën kapiteni i SHBA-së, Tyler Adams. “Do të kuptohej si një sukses për ne po të dilnim nga grupi dhe pastaj të vazhdojmë në turne”.
Një barazim apo një humbje në mbrëmjen e së martës do të eliminonte amerikanët, të cilët barazuan me Uellsin, 1:1, dhe me Anglinë 0:0.
Anglia kryeson Grupin B me katër pikë, e ndjekur nga Irani me tri, SHBA-ja me dy dhe Uellsi me një. Gjatë konferencave të pazakonta për shtyp para ndeshjes, trajneri amerikan Gregg Berhalter u pyet në lidhje me politikën e emigracionit, si dhe kërkoi falje për vendimin e Federatës së Futbollit të SHBA-së për të hequr stemën e Republikës Islamike nga flamuri i Iranit, në mediat sociale. Ky vendim kishte për qëllim të mbështeste gratë protestuese në Iran.
“Ne nuk e kishim idenë se çfarë nxori Federata amerikane”, tha Berhalter. “Gjithçka që mund të bëjmë në emrin tonë është të kërkojmë falje në emër të lojtarëve dhe stafit. Ne nuk kishim të bëjmë fare me këtë çështje për shkak se na intereson vetëm futbolli”.
Trajneri i Iranit, Carlos Queiroz, u pyet në lidhje me flamurin e publikuar të dielën nga amerikanët, gjë që bëri që organi drejtues i futbollit iranian të kërkonte që FIFA të përjashtonte SHBA-në nga turneu. Queiroz tha se nuk kishte ndërmend ta përdorte polemikën si motivim.
“Nuk dua të flas për politikën. Ne kemi një ndeshje të rëndësishme para vetes dhe jemi të fokusuar ta fitojmë me një paraqitje të mirë”, insistoi Queiroz.
Irani mposhti SHBA-në 2:1 në ndeshjen e Kupës së Botës 1998 në Francë. Ai rezultat i eliminoi amerikanët.
Trajneri amerikan insistoi se ajo humbje është ende në mendjen e tij.
“Ajo lojë mbetet në mendjen time. Më rri në mendje”, tha Berhalter. “Megjithatë, Irani ka një ekip të mirë dhe këtë e dëshmoi në ndeshjen e fundit. Kështu që duhet të tregohemi të kujdesshëm”.
Irani u rikuperua nga humbja 6:2 në ndeshjen hapëse ndaj Anglisë duke e mposhtur 2:0 Uellsin dhe për të mbajtur gjallë shpresat që të avancojë nga grupi për herë të parë në gjashtë paraqitjet në Kupën e Botës. Queiroz vlerësoi rritjen në ekipin amerikan, duke thënë se kjo Kupë Botërore tregoi se “amerikanët janë përmirësuar dukshëm në futboll”. Queiroz drejtoi ekipin MetroStars të Major League Soccer të SHBA-së në vitin 1996 dhe shërbeu si këshilltar i Federatës së Futbollit të SHBA-së në vitin 1998, duke shkruar një plan zhvillimi të lojtarëve.
“Jam i sigurt se na pret një ndeshje tejet e vështirë, pasi amerikanët kanë treguar një lojë shumë të mirë në këtë turne. Megjithatë, mendoj se jemi përgatitur mirë dhe jemi të gatshëm për këtë përballje, e cila është e rëndësishme për të dy skuadrat”, u shpreh Queiroz. Paraqitja e Iranit është shoqëruar me polemika lidhur me protestat që po mbahen në këtë vend. Ana politike shoqëron edhe ndeshjen me SHBA-në, ndërsa motivi i të dy përfaqësueseve pritet të jetë i madh.