Sport

Grupi A: Rikthimi i Ekuadorit në Botëror

Edhe pse nuk ishte zgjedhja e parë e Ekuadorit, Gustavo Alfaro do të jetë trajneri që do të udhëheqë ekipin e këtij vendi në Kupën e Botës në Katar. Argjentinasi, i cili kishte punuar te Boca Juniors, mori Ekuadorin në gusht të vitit 2020 nga Jordi Cruyff, i cili as nuk e kishte drejtuar ekipin në fushë për shkak të kaosit të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit. Alfaro u largua nga Buenos Airesi për një ekip me një grup lojtarësh premtues që një vit më parë kishin përfunduar të fundit në grupin e tyre në Copa America. Në konferencën e tij të parë për shtyp ai tha se Ekuadori “ka më shumë të ardhme sesa të tashme”.

“Unë dua të jem pjesë e procesit”, tha Alfaro. “Pjesë e kësaj rritjeje dhe formësimit të kësaj ëndrre që kemi për të luajtur Kupën e Botës”.

Është paraqitja e katërt e Ekuadorit që nga viti 2002. Ekuadori mungoi në Botëror katër vjet më parë.

Ekuadori do të luajë në ndeshjen hapëse kundër nikoqirit, Katarit, më 20 nëntor.

Ekip fizik

Ekipi i ri dhe fizik i Ekuadorit ishte shumë efektiv në kualifikimet e Amerikës së Jugut, sidomos në lartësinë e Quitot - 2,850 metra mbi nivelin e detit. Skuadra fitoi 18 nga 26 pikët duke luajtur në shtëpi. Nuk do të ketë lartësi për të përfituar në Katar, por lojtarë si mbrojtësi Piero Hincapie, anësori Gonzalo Plata dhe sulmuesi Enner Valencia, duhet të jenë në gjendje të shqetësojnë kundërshtarët. Fizikaliteti i Ekuadorit ishte kyç në fitoren 2:0 ndaj Kilit në nëntor të vitit 2021, kur Alfaro luajti me të gjithë lojtarët më të mirë.

Mungesa e golave

Dy ndeshje miqësore kundër Arabisë Saudite dhe Japonisë në muajin shtator kanë çuar në pyetje në lidhje me aftësinë e ekipit për të shënuar. Valencia, sulmuesi kryesor i skuadrës, nuk arriti të shënonte në të dyja ndeshjet. Përzgjedhësi Alfaro tashmë ka shfaqur shqetësimet për sulmin e ekipit. Opsionet tjera në repartin e sulmit përfshijnë Michael Estradan, Renato Ibarran, Angel Menan dhe Djorkaeff Reascon. Por, asnjëri prej tyre nuk ka arritur të shënojnë as për Ekuadorin e as për klubet e tyre kohët e fundit.

“Ne duhet të shënojmë sërish, kjo ishte pjesë e karakteristikës sonë. Pra, të shënojmë gola në secilën ndeshje”, tha Alfaro. “Goli nuk varet vetëm nga një lojtar. Varet nga i gjithë ekipi, nga kapaciteti ynë për të asistuar, krijuar raste. E rastet na nevojiten shumë në Botëror”.

Rasti i gjykatës

Ekuadori do të luajë në Kupën e Botës pas një beteje të gjatë ligjore. Kili dhe Peruja depozituan një ankesë në lidhje me kombësinë e mesfushorit Byron Castillo. Ankesa erdhi menjëherë pasi Ekuadori siguroi vendin në Kupën e Botës. Federata e Futbollit të Kilit pretendoi se Castillo ishte kolumbian dhe për këtë arsye nuk mund të posedonte pasaportë të Ekuadorit dhe nuk mund të ishte pjesë e ekipit. Në fund këtë betejë të gjatë ligjore e fitoi Ekuadori, që duket se është i gatshëm dhe me synime për të avancuar nga grupi në Botërorin “Katari 2022”.