Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botërori 2026

FIFA anulon dënimin për Otamendin dhe Caicedon

Otamendi

Mbrojtësi i Argjentinës, Nicolas Otamendi, dhe mesfushori i Ekuadorit, Moises Caicedo, nuk do të vuajnë pezullimin prej një ndeshje në Kupën e Botës, pavarësisht se u përjashtuan në ndeshjet e fundit kualifikuese.

Vendimet e paprecedentë të së premtes janë pjesë e një anulimi të të gjitha sanksioneve disiplinore, pos atyre më të ashpra, që rrjedhin nga ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Vendimet janë nxitur nga Byroja e FIFA-s, një panel i përbërë nga presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino dhe presidentët e gjashtë konfederatave të futbollit.

“Kartonët e vetëm të verdhë dhe pezullimet në pritje me një ose dy ndeshje, nuk transferohen në garën finale”, shkruan në një deklaratë të FIFA-s të lëshuar të premten.

FIFA ka shtuar se ka dashur të sigurohet që përfaqësueset të mund të garojnë me përbërjet e tyre më të forta të mundshme në skenën më të madhe të futbollit ndërkombëtar.

Ky ndryshim erdhi pas një vendimi disiplinor të FIFA-s që siguroi që Cristiano Ronaldo nuk do të humbë asnjë ndeshje të Kupës së Botës, pavarësisht një kartoni të kuq që mori për përdorim të bërrylit për goditje ndaj një lojtari të Irlandës, në ndeshjen e parafundit kualifikuese të Portugalisë.

Ronaldo mungoi në një ndeshje, kurse dy ndeshjet e tjera nga pezullimi prej tri ndeshjeve u shndërruan në dënim me kusht.

Otamendi dhe Caicedo u ndëshkuan me kartonë të kuq në fitoren 1:0 të Ekuadorit ndaj Argjentinës në shtator. Otamandi u ndëshkua direkt me të kuq për shkak të ndërhyrjes në një sulmues që vraponte drejt portës, ndërsa Caicedo mori kartonin e dytë të verdhë për ndërhyrje të ashpër.

Suspendimet e detyrueshme prej një ndeshjeje, tani do të barten në një tjetër garë pas Kupës së Botës.

Argjentina e fillon mbrojtjen e titullit të botës, ndaj Algjerisë më 16 qershor në Kansas City.

38-vjeçari Otamendi pritet të luajë në Kupën e katërt dhe të fundit të botës. Qendërmbrojtësi i Benficas luajti në Botërorin 2010, 2018 dhe 2022. Ishte i pazëvendësueshëm në të gjitha shtatë ndeshjet e Argjentinës në Katar 2022. Ekuadori fillon kundër Bregut të Fildishtë më 14 qershor në Filadelfia.

Mesfushori 24-vjeçar i Chelseat, Caicedo, po ashtu luajti në Katar katër vjet më parë.

Nga vendimi i FIFA-s përfiton edhe mbrojtësi i Katarit, Tarek Salman, që u përjashtua në ndeshjen ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe në tetor. Ai ishte i dënuar me dy ndeshje moslojë..