Sport

Ekuadori kthehet në Botëror nën drejtimin e trajnerit argjentinas

Edhe pse nuk ishte zgjedhja e parë e Ekuadorit, Gustavo Alfaro do të jetë trajneri që do ta udhëheqë këtë përfaqësuese në Kupën e Botës në Katar. Argjentinasi, i cili kishte punuar në Boca Juniors, mori përfaqësuesen e Ekuadorit në gusht të vitit 2020 nga Jordi Cruyff, i cili as nuk e kishte drejtuar ekipin në fushë për shkak të kaosit të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.

Alfaro u largua nga Buenos Airesi për një ekip me lojtarë premtues që një vit më parë kishin përfunduar të fundit në grupin e tyre në Copa America. Në konferencën e tij të parë për shtyp ai tha se Ekuadori “ka më shumë të ardhme sesa ka të tashme”.

“Unë dua të jem pjesë e procesit," tha Alfaro. “Pjesë e kësaj rritjeje dhe formësimit të kësaj ëndrre që kemi për të luajtur Kupën e Botës që nis muajin tjetër”.

Ekuadori do të jetë atje. Është paraqitja e katërt e skuadrës që nga viti 2002, por që dështoi katër vjet më parë.

Ekuadori do të luajë në ndeshjen hapëse kundër nikoqirit, Katarit, më 20 nëntor në kuadër të Grupit A. Pesë ditë më vonë do të përballet me Holandën dhe më pas me Senegalin më 29 nëntor. Ekipi i ri dhe fizik i Ekuadorit ishte shumë efektiv në kualifikimet e Amerikës së Jugut, sidomos në lartësinë e Quitos - 2,850 metra mbi nivelin e detit. Skuadra fitoi 18 nga 26 pikët duke luajtur në shtëpi.

Nuk do të ketë lartësi për të përfituar në Katar, por lojtarë si mbrojtësi Piero Hincapie, anësori Gonzalo Plata dhe sulmuesi Enner Valencia duhet të jenë në gjendje të shqetësojnë kundërshtarët.

Ana fizike e Ekuadorit ishte kyçe në fitoren 2:0 ndaj Kilit në nëntor të vitit 2021, kur Alfaro i pati në ekip të gjithë lojtarët, me përjashtim të tre futbollistëve nën moshën 23 vjeç. Dy ndeshje miqësore kundër Arabisë Saudite dhe Japonisë në shtator kanë hapur çështje në lidhje me aftësinë e ekipit për të shënuar.

Valencia, kërcënimi kryesor i skuadrës, nuk arriti të shënonte në të dyja ndeshjet. Alfaro tashmë ka shfaqur shqetësime për formën e sulmuesve të ekipit. Opsionet e tij të tjera përpara përfshijnë Michael Estradan, Renato Ibarran, Angel Menan dhe Djorkaeff Reascon. Por, as këta nuk kanë arritur të shënojnë për Ekuadorin kohët e fundit.

“Ne duhet të shënojmë sërish, kjo ishte pjesë e karakteristikës sonë”, tha Alfaro. “Goli nuk varet nga një anësor. Varet nga i gjithë ekipi, nga kapaciteti ynë për të asistuar, krijuar mundësi”.

Ekuadori do të luajë në Kupën e Botës pas një beteje të gjatë ligjore. Kili dhe Peruja depozituan një ankesë në lidhje me kombësinë e mesfushorit Byron Castillo. Menjëherë pasi Ekuadori siguroi vendin e tij në Kupën e Botës, Federata kiliane e futbollit pretendoi se Castillo ishte në të vërtetë kolumbian dhe për këtë arsye nuk mund të luante me pasaportë ekuadoriane.