Sport

Griezmann: Rol tjetër, efekt i njëjtë

Franca është kthyer në gjysmëfinale të Kupës së Botës, falë edhe ndikimit jo të vogël të Antoine Griezmannit, që po shkëlqen në rolin e ri në mesfushë

Me Antoine Griezmannin në formë shumë të lartë, Franca ka të drejtë të ëndërrojë gjëra të mëdha. Lojtari i Atletico Madridit bëri një tjetër paraqitje të shkëlqyer ndaj Anglisë në çerekfinale, të shtunën mbrëma. Franca fitoi 2:1 në ndeshjen e fortë dhe dramatike. Griezmann bëri pasimin për Aurelien Tchouamenin për golin e parë të ndeshjes, përpara se të shfaqej me krosimin e saktë për Olivier Giroudin, që me gol me goditje me kokë vendosi fituesin.

Të shpërndajë asistime është diçka e natyrshme për Griezmannin. Ai ka bërë katër pasime vendimtare në Rusia 2018, duke përfshirë dy në finale.

Sipas një numri të madh të mediave, dy asistimet ndaj Anglisë e kanë bërë ish-lojtarin e Barcelonës asistuesin më të mirë në histori të Francës. Ai ka 28 asistime, dy më shumë se Thierry Henry dhe Zinedine Zidane.

Në kontrast me Botërorin e para katër vjetësh në Rusi ku shënoi katër gola, Griezmann nuk ka gjetur ende rrugën drejt rrjetës në Katar.

Ka një arsye të fortë për këtë. Në mungesë të Paul Pogbas dhe N’Golo Kantes dhe me kthimin e mbrojtjes së Francës me katër lojtarë, selektori Didier Deschamps ka angazhuar 31-vjeçarin në një rol krejtësisht të ri. E ka vendosur atë në mesfushën me tre lojtarë, përkrah Tchouamenit dhe Adrien Rabiotit.

Duke u përshtatur në një pozitë më pak sulmuese se që është mësuar, Griezmann është bërë lojtar lidhës në ekipin e Francës. Ai duhet të mbrohet më shumë, por pozitën e re e ka specializuar në Katar.

“Jam goxha i lirë në atë se si lidhem me mbrojtjen apo sulmin”, ka thënë Griezmann. “Kur ne mbrohemi, duhet të ndihmojë bashkëlojtarët. Dhe kur kemi topin, unë duhet të mundohem që të luaj sa më mirë me të. Më jep më shumë zgjedhje. Fizikisht ndihem shumë mirë. Kur jam mirë fizikisht, kokën e kam shumë më të qetë dhe është më e lehtë të vazhdoi të bëjë këto gjëra sërish dhe sërish”.

Sipas vlerësimit të shumë ekspertëve, vendimi i Deschampsit për ta kthyer më prapa lojtarin që po shkëlqente pas sulmuesve në Rusia 2018, u dëshmua të jetë i jashtëzakonshëm.

Në një intervistë së fundi, ylli i dikurshëm i Uruguait, Diego Forlan, ka qenë plot lavde për Griezmannin.

“Ai lidhë mesfushën dhe sulmin në mënyrë të përkryer. Ai ka punë shumë të rëndësishme të bëjë në ekip. Sipas mendimit tim është lojtari kryesor te Franca”, ka thënë Forlan.

Këtë mendim e ndanë edhe mesfushori argjentinas, Javier Pastoer, që luan për Elchen në La Liga dhe është përballur në fushë me Griezmannin.

“Ai është gjithkund në fushë”, ka thënë Pastore. “Ai është lojtar shumë i rëndësishëm për ‘Les Bleus’. Griezmann ka pozitë më sulmuese në klub dhe luan në arenë ku pritet të shënoi gola dhe të bëj pasime vendimtare. Ndërsa për përfaqësuesen ai bën shumë, ndonëse nuk është plotësisht e bukur për ta shikuar lojën e tij”.

Nëse pas një jave Franca kthehet në shtëpi me tjetër trofe të Kupës së Botës dhe Antoine Griezmann nuk shënohet në listën e realizatorëve, tifozët e “Les Bleus” nuk do të jenë shumë të brengosur. Ata do të kenë çdo arsye ta falënderojnë atë për përshtatjen e mahnitshme dhe për kontributin e madh në Botërorin në Katar.