Me finalen e katërt të Kupës së Botës në shtatë edicione, Franca është mësuar me suksesin në skenën ndërkombëtare dhe në qendër të të gjithave ka qenë Didier Deschamps, një fitues i lindur si lojtar dhe tani një lider frymëzues si trajner.
Derisa Franca i afrohet përballjes finale të së dielës me Argjentinën në Doha, duket e jashtëzakonshme tani që kishte dyshime serioze për paraqitjen e kësaj skuadre franceze në Kupën e Botës. Francezët kishin zhgënjyer në “Euro 2020” dhe Deschamps tashmë po përballej me një krizë dëmtimesh përpara se fituesi i “Topit të Artë”, Karim Benzema të tërhiqej nga skuadra në prag të turneut. Megjithatë, rrethanat kanë sjellë më të mirën nga trajneri i Francës, i cili ndryshoi planet taktike dhe bëri një goditje mjeshtërore duke e kthyer Antoine Griezmannin në mesfushor.
“I detyrohem atij gjithçka në karrierën time ndërkombëtare. Unë jap gjithçka për fanellën, për Francën, por edhe për të”, tha Griezmann për Deschampsin. “Çdo ndeshje, çdo veprim është sikur unë t'i them faleminderit. Unë dua të bëj gjithçka për ta bërë atë krenar për numrin e tij shtatë”.
Deschamps mund të përqeshet nga disa tifozë që mendojnë se ekipi i tij duhet të luajë futboll më tërheqës. Por komentet e Griezmannit zbuluan diçka tjetër për Deschampsin - se aftësitë e tij menaxhuese janë edhe më të rëndësishme sesa taktika.
“Ai pëlqen të flasë me lojtarët dhe të dijë se çfarë ndeejnë ata. Sa herë që ai jep një urdhër ose këshillë, ju ndiqni atë”, tha Griezmann.
Fakti që Deschamps është kaq shumë i respektuar dhe i admiruar nga lojtarët e tij, është pjesërisht për shkak të asaj që ka arritur në karrierë. Një mesfushor, i cili dikur u quajt “bartës uji” nga Eric Cantona, ishte 24 vjeç kur ishte kapiten i Marseillet në fitoren në finalen e Ligës së Kampionëve të vitit 1993. Më vonë, një fitues i Ligës së Kampionëve me Juventusin, ai e udhëhoqi Francën drejt fitores në Kupën e Botës 1998 dhe “Euro 2000” përpara se të tërhiqej në moshën 32-vjeçare.
“Les Bleus” nuk janë kthyer prapa që nga ato triumfe. Franca është bërë fuqia më e shquar e futbollit ndërkombëtar. Deschamps ka qenë forca shtytëse pas kësaj, edhe pse pas përfundimit të karrierës si lojtar pati një periudhë të suksesshme në drejtimin e klubeve. Ai e çoi Monacon në finalen e Ligës së Kampionëve të vitit 2004 në moshën 35-vjeçare dhe udhëhoqi Marseillen drejt një titulli në Ligue 1 përpara se të zëvendësonte Laurent Blancun si trajner i Francës në vitin 2012.
Franca po përpiqej të rindërtohej pas katastrofës së Kupës së Botës 2010 në Afrikën e Jugut.
Një dekadë më vonë, francezët janë në finalen e tretë në katër turnetë e fundit të mëdhenj dhe gjithashtu fituan Ligën e Kombeve të UEFA-s vitin e kaluar.
“Është shumë e vështirë të fitosh, veçanërisht një Kupë Bote, dhe është edhe më e vështirë ta fitosh atë përsëri”, pranoi Deschamps. “Duhet cilësi dhe talent, por ato gjëra nuk mjaftojnë. Pa mentalitetin, mendësinë dhe vendosmërinë e duhur, është e pamundur të fitosh në këtë nivel”.
E shtyrë nga Deschamps, Franca është kampionia në fuqi e parë e Botës që kthehet në finale që nga Brazili në vitin 1998. Te Franca mendojnë të bëhen skuadra e parë në 60 vjet që do të ruajë trofeun. Sigurisht që ka qenë ndryshe nga viti 2018, me gjysmën e formacionit të Francës që ka ndryshuar, pjesërisht për shkak të dëmtimeve të lojtarëve kyçë si Paul Pogba, N'Golo Kante dhe Lucas Hernandez. Në vitin 2018, Deschamps u bë vetëm njeriu i tretë që fitoi trofeun si trajner duke e bërë këtë edhe si lojtar, pas Mario Zagallos të Brazilit dhe Franz Beckenbauerit të Gjermanisë Perëndimore.
Tani ai qëndron një ndeshje larg që të bëhet trajneri i parë që ka fituar dy herë Kupën e Botës në epokën e pasluftës së dytë botërore. Çfarëdo që të ndodhë të dielën, arritja e Francës deri në këtë pikë do të thotë se Deschamps pa kontratë është i lirë të vendosë nëse dëshiron të qëndrojë dhe të udhëheqë Francën në “Euro 2024”.
Pritshmëria është që ai ta bëjë, pavarësisht se figura e Zinedine Zidanet fshihet në hije.
“Ne kemi mundësinë të ruajmë titullin tonë dhe kjo tashmë është një arritje e madhe. Le të shpresojmë se mund të jemi edhe më të lumtur të dielën”, tha Deschamps, i cili nuk preferoi të flasë për kontratën e tij që i skadon në fund të këtij muaji.