Shtatëmbëdhjetë ndeshje të luajtura, 14 humbje, 49 gola të pranuar dhe në fund të tabelës. Greuther Furthi nuk po thyen vetëm rekorde në Bundesligë për të gjitha arsyet e gabuara, por gjithashtu aktualisht mban titullin e padëshiruar, të skuadrës më të dobët të elitës në të gjitha ligat kryesore të Evropës.
Bavarezët e kthyer në elitën e futbollit gjerman, të cilët fituan tri kampionate gjermane ndërmjet viteve 1914 dhe 1930 në epokën para Bundesligës, kanë totalin më të ulët të pikëve nga çdo ekip në pesë ligat më të mira të Evropës këtë sezon, duke zënë vendin e fundit në tabelë me vetëm pesë pikë pas 17 ndeshjeve. Ecuria prej 14 ndeshjeve pa fitore do të thotë se Greuther Fuerthi bëri fillimin më të keq të një sezoni në historinë e Bundesligës, përpara se fitorja 1:0 kundër Union Berlinit të ndalonte përfundimisht katastrofën. Kjo, edhe mbetet fitorja e vetme e këtij sezoni. Klubi ndryshe njihet më nofkën “Kleeblatter”, që do të thotë gjethe tërfili, por fati nuk ka qenë në anën e tyre vetëm në sezonin e dytë në Bundesligë. Situata gjatë muajve të fundit u bë aq e rëndë sa trajneri Stefan Leitl iu lut publikut që askujt të mos i vinte keq për ta.
“Synimi tjetër: duartrokitje në vend të keqardhjes”, ishte titulli i një reviste të madhe sportive në Gjermani që kishte publikuar një artikull për Greuther Fuerthin.
Nuk ka pasur shumë duartrokitje - me vetëm 13 gola të shënuar - madje edhe tifozët kundërshtarë nuk janë të sigurt nëse duhet të brohorasin për golin e katërt apo të pestë kundër Fuerthit. Pika e ulët u arrit kur skuadra e trajnerit Leitl u mposht me rezultatin e thellë 7:1 nga Bayer Leverkuseni në fillim të dhjetorit. Paraqitja si ajo kundër Leverkusenit kanë vënë në pikëpyetje cilësinë e skuadrës. Fuerth u promovua në Bundesligë verën e kaluar dhe hierarkia e klubit më pas bëri disa transferime.
Ish-ndërkombëtarët holandezë Jetro Willems dhe Nick Viergever, si dhe mesfushorët gjermanë Sebastian Griesbeck, Max Christiansen, Jeremy Dudziak dhe Nils Seufert iu bashkuan ekipit. Viergever, Dudziak dhe Griesbeck kushtuan së bashku 1.5 milion euro, ndërsa Willems, Christiansen dhe Seufert u transferuan si lojtarë të lirë. Në këmbim, klubi humbi mesfushorin Anton Stach dhe reprezentuesin e Gjermanisë, David Raumin. Christiansen pa dyshim i talentuar erdhi nga skuadra e kategorisë së tretë Waldhof Mannheim dhe tani i kërkohet të luajë si mesfushor qendror. Veterani Willems ka luajtur shumicën e ndeshjeve si mbrojtës i majtë, pasi kaloi gjashtë muaj si rezervist te Eintracht Frankfurti.
“Askush nuk e priste që ne do të ishim kaq shumë prapa në tabelë”, tha trajneri Leitl, duke insistuar se ai beson që ekipi i tij është shumë më i mirë se rekordi negativ i pikëve. Leitl ka riafirmuar gjithashtu se ai nuk do të ndryshonte stilin e lojës së ekipit të tij pasi disa kritikë sugjeruan që Fuerthi të “parkonte autobusin” para portës në vend që të luante futboll sulmues. Në sytë e tij është ADN-ja e skuadrës që të ecë përpara dhe jo vetëm të mbrohet. Fuerthi u shpërblye në dy javët e fundit, pasi mundi Union Berlinin 1:0, duke festuar fitoren e parë të këtij sezoni në Bundesligë, dhe më pas përfundoi gjysmën e parë të edicionit me një barazim pa gola kundër Augsburgut. Por, Fuerthi është 13 pikë larg zonës që eviton rënien nga Bundesliga dhe shumica tashmë po e llogaritin si ekip të Bundesligës 2 për sezonin tjetër. Hierarkia e klubit shkurtoi pushimet e Krishtlindjeve të lojtarëve, duke i njoftuar se ata duhet të kthehen në stërvitje më më 27 dhjetor. Ndeshjen e parë në vitin 2022, Fuerthi e luan në shtëpi kundër Stuttgartit më datën 8 janar.
Edhe
Hertha përgatitet për një garë të vështirë
“Ne i detyrohemi vetes dhe tifozëve që të kemi rezultate të mira në pjesën e dytë të sezonit. Këtë e kanë parasysh edhe lojtarët. Unë pres që në pjesën e dytë të sezonit të dëshmojmë se jemi të aftë për të luajtur në Bundesligë”, tha drejtori sportiv i klubit, Rachid Azzouzi.
Askush te Fuerthi nuk flet për shmangien e rënies nga Bundesliga, por vetëm për përmirësimin e nivelit të paraqitjeve.