Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Hertha përgatitet për një garë të vështirë

Hertha e Berlinit, e kërcënuar me rënie nga Bundesliga, përballet me një vazhdim të vështirë të garës në elitën e futbollit të Gjermanisë. Fillimisht Hertha do të ketë punë me Bochumin, që gjithashtu po lufton për të shmangur rënien, përpara se të luajë me Wolfsburgun dhe ta zhvillojë derbin e qytetit të Berlinit ndaj Unionit.

Përkundër orarit të vështirë që e ka Hertha, drejtuesit e klubit ndihen plotësisht të sigurt dhe të gatshëm për rifillimin e kampionatit javën e ardhshme. Hertha ka kaluar periudha të trazuara në sezonet e fundit, me një investim masiv prej 350 milionë eurosh nga financuesi Lars Windhorst që nuk solli rezultate të mira në fushë. Klubi vazhdon të luftojë për të mbetur në divizionin më të lartë edhe për sezonin tjetër. Hertha e Berlinit ka pasur shtatë trajnerë në tre vjetët e fundit, me Sandro Schwarzin në krye të ekipit që nga fillimi i këtij edicioni. Hertha zë vendin e 15 në tabelë me 14 pikë, një më shumë se Bochumi që është dy pozita më poshtë.

Në klubin berlinas është një atmosferë pozitive pas pushimit për shkak të Kupës së Botës “Katari 2022”. Te Hertha besojnë se këtë vit do të kthehen te rezultatet pozitive dhe shumë shpejt do ta konfirmojnë qëndrimin në Bundesligë.

“Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm për situatën në të cilën ndodhemi dhe se kemi shumë punë përpara vetes. Për ne çdo ndeshje është finale. Por, ne kemi një ndjenjë të mirë për pjesën e dytë. Paraqitjet në pjesën e parë nuk përputhen me pikët që kemi deri më tani. Ne duhet të marrim pikët e mjaftueshme sa më shpejt që është e mundur për t’u konfirmuar në Bundesligë edhe për sezonin tjetër”, insistoi drejtori sportiv i Herthas, Fredi Bobiq. “Ne nuk po themi se gjithçka është super, por ne kemi një ekip kompakt që është gjithashtu i bollshëm në numër. Dhe si një ekip i bashkuar duhet t'i fitojmë këto pikë. Ka optimizëm”.

Hertha e përfundon kampin stërvitor në Florida në fillim të javës tjetër, duke qenë gjithashtu e pamposhtur në të gjitha ndeshjet miqësore që i ka luajtur këtë muaj. Kjo ka rritur edhe më shumë besimin e drejtorit Bobiq.

“Jam shumë i kënaqur me kampin stërvitor. Ne duhet të jemi më të qetë, veçanërisht në fushë. Ka gjëra që duam t'i përmirësojmë. Ne duam të luajmë lojë atraktive dhe shumë sulmuese. Ky besoj se do të jetë çelësi për t’u kthyer te fitoret”, insistoi Bobiq. “Në përgjithësi gjërat kanë shkuar shumë mirë. Javën e ardhshme në Bochum shpresojmë se mund të tregojmë të gjithë potencialin dhe ta nisim vitin me fitore në Bundesligë”.

Edhe Xhaka kthen vëmendjen te dueli i vështirë me Dortmundin Futboll 1 v. më parë Xhaka kthen vëmendjen te dueli i vështirë me Dortmundin

Optimizmi për rezultate të mira në stinorin pranveror vërehet edhe te lojtarët. Mbrojtësi Marc Kempf, ka thënë me bindje të plotë se Hertha është gati për ta dëshmuar cilësinë dhe potencialin që posedon ndaj të gjitha skuadrave në Bundesligë. Ai beson fuqishëm se këtë vit fitoret nuk do të mungojnë sikurse në stinorin vjeshtor. Në 15 ndeshje të luajtura, Hertha ka marrë vetëm tri fitore karshi pesë barazimeve dhe shtatë humbjeve.

“Në pjesën e parë nuk ishim aq efikas dhe nuk jemi përgjigjur ndaj kërkesave të trajnerit, ku kemi bërë paraqitje të dobëta. Por, tani mendoj se gjatë pushimit jemi përgatitur mirë dhe do të kërkojmë fitore në secilën ndeshje. Nuk e kemi ndërmend të dorëzohemi pasi duam t’u dëshmojmë të gjithëve se Hertha është ekip i Bundesligës”, është shprehur Kempf.

Bundesliga vazhdon të premten e ardhshme me ndeshjen derbi mes Leipzigut e Bayernit, ndërsa Hertha duelin ndaj Bochumit e luan një ditë më vonë.