Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Greqisë, Gustavo Poyet, dhe kapiteni Anastasios Bakasetas, janë të bindur që me lojën të cilën e kanë bërë në tri ndeshjet e fundit, do të korrin një tjetër sukses të dielën. Që të dy, në konferencën për shtyp të shtunën kanë folur edhe për progresin që e ka arritur përfaqësuesja greke para duelit të katërt të edicionit të tretë të Ligës së Kombeve kundër Kosovës. Ndeshja e Grupit 2 të Ligës C të Ligës së Kombeve, luhet të dielën prej orës 20:45 në Volos. Përzgjedhësi i Greqisë, uruguaiani Poyet, tha se të dyja përfaqësueset janë në një situatë të njëjtë dhe që të dyja e kërkojnë fitoren.
“Ekipi duhet të japë gjithçka, nuk ka arsyetime. Kosova është në të njëjtën situatë, e ka të njëjtën lodhje si ne. Djemtë duhet të japin 100 për qind nga vetja. Do ta kenë edhe një përpjekje dhe më pas do të mund të pushojnë”, ka thënë fillimisht 54-vjeçari në konferencën për shtyp të mbajtur të shtunën gjatë ditës.
Greqia dhe Kosova janë takuar mes vete pesë herë në ndeshje zyrtare. Dy fitore i kanë grekët, ndërsa tri ndeshje tjera kanë përfunduar pa fitues. Por, Greqia asnjëherë nuk ka fituar në shtëpi kundër Kosovës. Të dyja fitoret i kishte arritur në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Të fundit 1:0 e arriti më 5 qershor, ndërsa të parën më 6 shtator të vitit 2020, po ashtu në Ligën e Kombeve.
“Arsyeja pse nuk kemi arritur që t’i mposhtim deri tani në shtëpi është sepse ka qenë vështirë. Kosova është ekip i mirë, lojtarët e njohin njëri-tjetrin. Në anën tjetër, ne jemi të përgatitur dhe i dimë vështirësitë. Unë kam besim te djemtë se ata do të bëjnë çfarë u kam thënë. Ne gjithmonë e nisim ndeshjen për të fituar. Qasja ime nuk ndryshon fare, do të hyjmë në lojë në të njëjtën mënyrë. Çdo ndeshje është ndryshe, por ne hyjmë për fitore”, ka theksuar Poyet.
Greqia është e para në Ligën B2 me tri fitore në po aq ndeshje. Kosova është e dyta me gjashtë pikë. Ka dy fitore e një disfatë. Irlanda e Veriut dhe Qipro janë në pozitën e tretë, përkatësisht të katërt, me nga një pikë. Para Kosovës, Greqia e mposhti edhe Qipron e Irlandën e Veriut. Të dielën, Greqisë do t’i mungojë Dimitris Limnios, që në ndeshjen e fundit e ka shqyer ligamentin e gjurit. Përzgjedhësi Poyet në konferencë nuk dha ndonjë informatë se kush mund të luajë në vend të tij. Ishte i shkurtër në përgjigje, duke thënë se do të zëvendësohet me një futbollist tjetër.
“Nuk ka dallim prej formacionit titullar dhe të tjerëve. Të gjithë punojnë së bashku në stërvitje. Këta djem janë e ardhmja”, ka përfunduar Poyet.
Kapiteni i Përfaqësueses së Greqisë, Anastasios Bakasetas, ka qenë një prej lojtarëve kryesor të grekëve në tri ndeshjet e para të këtij edicioni të Ligës së Kombeve.
Edhe
Javë vendimtare për Kosovën
Sulmuesi i Trabzonsporit ka tri gola të shënuar, nga një në secilën ndeshje.
“Ekipi është rritur. Tani jemi me më shumë eksperiencë. Shumica e lojtarëve paraqiten mirë në liga të forta. Jemi edhe më kërkues në fushë. Ne luajmë gjithmonë për fitore. E rëndësishme është që të luajmë deri në fund, të luftojmë për të mbetur në nivele të larta dhe ta kthejmë Greqinë nëKampionatin Evropian”, është shprehur Bakasetas.
Greqia me fitore eventuale ndaj Kosovës do ta siguronte vendin e parë në grup.