Sport

Grekët e vlerësojnë Kosovën, por në Prishtinë vijnë për fitore

Greqia udhëheq grupin e fazës së parë kualifikuese për Botërorin e hendbollit. Në grupin e parë bën pjesë edhe Kosova, që aktualisht është e fundit. Ndeshja e ardhshme është Kosovë – Greqi, që zhvillohet më 5 janar nga ora 19:15 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.

Është ndeshje vendimtare, sidomos për Kosovën që synon njërën prej dy vendeve të para për avancim në fazën tjetër të kualifikimeve për Botërorin 2023. Te Greqia e pranojnë që ndeshja në Prishtinë do të jetë shumë e vështirë.

Kapiten i Greqisë në ndeshjet e fundit ishte qendra Charalampos Mallios. 34-vjeçari edicionin e kaluar ishte pjesë e kampiones së Kosovës, Besa Famgas. Mallios pritet të jetë prej liderëve të Greqisë edhe në dy ndeshjet me Kosovën. Ai u gëzohet përballjeve me ish-shokët e skuadrës, ndërsa e pranon Greqinë e presin sfida të mëdha.

Më 3 nëntor, Greqia fitoi 29:27 në udhëtim ndaj Belgjikës, ndërsa Kosova humbi 25:23 nga Turqia, po në udhëtim. Më 7 nëntor, Kosova luajti 28:28 me Belgjikën në Prishtinë, ndërsa Greqia fitoi 24:20 ndaj Turqisë. Greqia e pret Kosovën më 9 janar në Kretë.

“Ne e dimë që Kosova është kundërshtar i vështirë, me shpirt ekipor dhe lojtarë të mirë. Ne duam të jemi sa më të përgatitur për të marrë rezultatin më të mirë. Por, e dimë që nuk është e lehtë”, ka thënë Mallios të martën për KOHËN.

Ai aktualisht po luan për skuadrën Diomidis Argous, që bën gara në elitën e Greqisë. Tregon që në Greqi shumë skuadra janë të përfshira në garë për titull të kampionit dhe për Kupë.

Në Kosovë, Besa Famgas nuk kishte dhe nuk ka konkurrencë të madhe për titull të kampionit. Lojtarët e kësaj skuadre janë bartës të lojës së Kosovës. Mallios e di shumë mirë këtë.

“Ne duam t’i fitojmë të dyja ndeshjet për të siguruar vendin e parë në grup. Por, ne jemi të përgatitur për dy ndeshje të forta dhe do të jemi plotësisht të koncentruar për të arritur synimin. Ekipi përfaqësues i Kosovës ka një trajner të ri që sjell përvojën nga jashtë. Ka po ashtu disa lojtarë nga jashtë. Por, zemra e ekipit janë lojtarët e Besës dhe unë e njoh potencialin e tyre. E njoh edhe shpirtin e tyre luftarak dhe e di se ata nuk dorëzohen. Kjo është përparësia më e madhe e Kosovës, sipas mendimit tim”, ka theksuar Mallios.

“Jam shumë i lumtur që do të takohem me ish-bashkëlojtarët e mi. Kam pasur kohë shumë të mirë dhe kujtime të mira me ta. Ne ende mbajmë kontakt dhe me disa prej tyre jemi shokë dhe do të vazhdojmë të jemi”.

Pas dy ndeshjeve me Greqinë, Kosova luan në shtëpi me Turqinë dhe në udhëtim me Belgjikën. Dy të parët në grup avancojnë tutje, ndërsa pozita e Kosovës nuk është më e mira. Është pritur fitore ndaj Belgjikës, që megjithatë nuk është arritur. Ndërkohë, Greqia ka realizuar planin në dy ndeshjet e para.

“Kemi nisur shumë mirë këto kualifikime për Kupën e Botës dhe duam të vazhdojmë këtë rrugë me fitore. Natyrisht që jemi të lumtur me dy fitoret në dy ndeshjet e para, por e dimë që ende asgjë nuk ka përfunduar. Duhet të jemi edhe më seriozë dhe më të fokusuar në misionin tonë për kualifikim në plejof”, thotë kapiteni grek.

Grupi i Kosovës vlerësohet i përafërt, ndërsa me shumë gjasë gara do të jetë e hapur deri në fund. Por, me dështim ndaj Greqisë në Prishtinë, Kosova thuajse do të jetë shumë prapa.

Kosova po i vazhdon stërvitjet në Prishtinë për katër ndeshjet e janarit. Dy miqësore me Kuvajtin i ka fituar, ndërsa miqësorja e fundjavës me Malin e Zi dështoi, për shkak të rasteve me koronavirus te përfaqësuesja malaziase.