Sport

Gratë depërtojnë si zëra të ndeshjeve në Kupën e Botës

Kupa e Botës do të tingëllojë ndryshe këtë vit. Jacqui Oatley do të bëhet komentatorja e parë “lojë pas loje” e Kupës së Botës në SHBA, duke drejtuar një nga pesë ekipet e transmetimit të kanalit “Fox” për turneun në Katar që hapet të dielën.

Pien Meulensteen, Vicki Sparks dhe Robyn Cowen janë ndër transmetueset për ndeshjet në “BBC” në Britani.

“Shumë njerëz do të kenë komente negative për gratë komentuese. Kjo për shkak të mënyrës se si ata mendojnë. Ata nuk janë të hapur për të dëgjuar asgjë ndryshe”, tha Pien Meulensteen, vajza 25-vjeçare e ish-trajnerit të Fulhamit dhe ndihmëstrajnerit aktual të Australisë, Rene Meulensteen.

“Unë e kam dashur futbollin qëkur kam qenë fëmijë. Jam rritur në një shtëpi futbolli, babai im punon në futboll. Dy vëllezërit e mi luajnë futboll dhe ne të gjithë flasim për të njëjtën gjë, kështu që pse të mos kesh një grua që të flasë për këtë sport?”.

Oatley, 47-vjeçare, punoi në Kupën e Botës 2018 për “ITV” të Britanisë si prezantuese në studio dhe reportere. Ajo dhe Meulensteen janë bërë të rregullta në ndeshjet e Premier Leagues, të dëgjuara në SHBA në rrjetet e NBC.

“Kam kuptuar se audienca amerikane në veçanti është fantastike”, tha Oatley.

Kabinat e transmetimit të Kupës së Botës dominoheshin prej kohësh nga zërat e meshkujve. Kjo filloi të ndryshojë katër vjet më parë, kur analistët në lojë përfshinin Aly Wagner në Fox, Viviana Vila në Telemundo, Sparks në BBC dhe Claudia Neumann në ZDF të Gjermanisë. FIFA po përdor komentatorë të ndryshëm për herë të parë në kanalin e saj në gjuhën angleze. Gjashtë ekipet e saj përfshijnë trajneren e San Diego Wave, Casey Stone dhe Lucy Ward, të dyja ish-lojtare të Anglisë.

Oatley do të punojë në Fox me ish-mbrojtësin e Anglisë, Warren Barton, duke filluar me ndeshjen e Danimarkës kundër Tunizisë, të martën.

“Ato sjellin njohuri dhe ekspertizë”, tha 77-vjeçari Martin Tyler, që po bëhet gati për të transmetuar Kupën e tij të 12-të Botërore. “Gjëja më e rëndësishme është se sa të mira janë”.

Oatley u rrit në Wolverhampton duke dëgjuar komentatorët Barry Davies, Brian Moore dhe John Motson. Ajo ndoqi Universitetin e Leedsit dhe ishte mesfushore për ekipin e Chiswickut, përpara se të lëndonte gjurin dhe të përfundonte në paterica për gati një vit. Në fund të vitit 2001 ajo vlerësoi se puna si menaxhere e llogarive për një kompani nuk e plotësonte. Kërkoi në internet se si të futej në transmetim, mori një punë për një natë në javë duke bërë reportazhe sportive për radio spitalore dhe u regjistrua në kurse për prodhim radiofonik dhe gazetari të shkruar. Oatley hoqi dorë nga puna e saj e përditshme dhe apartamenti i saj dhe qëndroi me miqtë ndërsa mësoi profesionin e ri. Dhe në shtator 2002 u regjistrua në një program pasuniversitar gazetarie në Universitetin Sheffield Hallam. Ajo filloi punën e pavarur duke dhënë raporte ndeshjesh për liga të ulëta dhe në vitin 2003 transmetoi lojën e parë për “BBC Radio Leeds”, midis Wakefield & Emley dhe Worksop Town në nivel të shtatë.

Pas kësaj, Jacqui Oatley u punësua dhe komentoi ndeshjet e vajzave dhe më pas ato në Kampionatin Evropian të vitit 2005. Më 21 prill 2007 ajo u bë e para që e komentoi në “Match of the Day” të televizionit “BBC One”, midis Fulhamit dhe Blackburnit. U bë prezantuese e BBC-së për Kampionatin Evropian 2015 të futbollisteve dhe në shtator të vitit 2021 u punësua si komentatore në “Sky” për mbulimin e kampionatit të futbollisteve të Anglisë. Përgatitja e saj për Katarin përfshin printerin, fishekë boje, dy telefona dhe dy iPad.

“Nuk më pëlqen të mbështetem në teknologjinë e dikujt tjetër”, tha ajo.

Meulensteen, e diplomuar në vitin 2019 në Universitetin e Salfordit, punoi për “BBC Manchester” gjatë shkollimit dhe komentoi lojërat e ekipit të futbollisteve të Manchester Unitedit për MUTV. Ajo filloi transmetimet televizive në Premier League dhjetorin e kaluar dhe ndeshja e saj e parë e Kupës së Botës do të jetë Poloni - Meksikë në televizionin “BBC One”, të martën.

“Gratë po aq kënaqen duke parë futboll, duke dëgjuar futboll, duke luajtur futboll”, tha ajo. “Njëzet vjet më parë nuk ishte një opsion që gratë të shikonin futboll dhe të kishim një zë femëror. Gratë duhet të lejohen të komentojnë edhe ndeshjet e futbollit të burrave. Thjesht lejon që njerëzit e tjerë të jenë në gjendje të dëgjojnë një zë tjetër”.

Derisa shumë njerëz janë të kënaqur me përparimet e komentatoreve, ka kritikues të pakëndshëm.

“Unë i çaktivizoj të gjitha njoftimet në telefonin tim vetëm sepse ka kaq shumë komente negative nga të gjitha anët”, tha Meulensteen. “Ju nuk dëshironi të shihni diçka që do të ndikojë tek ju”.