Sport

Graf, amerikani që në hije ndihmoi Yllin për ta fituar titullin

Erdhi pa bujë të madhe, nuk ishte i ekspozuar sikurse amerikanët e tjerë, por e kreu punën e tij në mënyrën më të mirë të mundshme për t’u larguar si kampion i Kosovës. Bëhet fjalë për organizatorin e Golden Eagle Yllit, Dajaun Graf. Graf iu bashkua ekipit suharekas në fillim të muajit mars dhe pas ndërrimit të disa lojtarëve të huaj, ai doli të ishte i qëlluari.

“Përforcimi i radhës në pozitën e organizatorit: Welcome Graf”, ishte postimi i thjeshtë i Yllit në “Facebook” më 4 mars.

Grafi iu bashkua Yllit një muaj pas qendrës Chris Harris. Ata ishin amerikanët e vetëm në ekip në tre muajt e fundit. Para këtyre, Ylli i pati edhe tetë amerikanë të tjerë gjatë këtij edicioni, të cilët nuk bindën me paraqitje: Kinu Rochford, Tamas Bruce, Justin Martin, Malcolm Grant, Brandon Randolph, Cameron Williams, AJ Sumbry e Barret Benson.

Harris, e sidomos Graf, i kryen me përpikëri detyruat që ua caktonte trajneri Adis Beçiragiq. Dhe dhanë kontributin në kampanjën që të enjten përfundoi me titull të kampionit.

Përkundër që ishte disi në hije, Graf në serinë finale të plejofit ndaj Trepçës u paraqit me sukses dhe u vlerësua ndër më të dalluarit te Ylli. Skuadra nga Suhareka të enjten mbrëma e mbrojti titullin e kampionit pasi në ndeshjen e katërt të serisë finale e mposhti Trepçën në Mitrovicë me shifrat 70:64. Këtë seri Ylli e fitoi me rezultatin e përgjithshëm 3:1, kurse Graf në ndeshjen e fundit realizoi “double-double” prej 15 pikëve, 13 kërcimeve e pesë asistimeve.

Në një intervistë për KOHËN, të premten, basketbollisti amerikan tha se në Kosovë nuk erdhi për t’u ekspozuar, por thjesht për ta kryer punën e tij – ta ndihmojë Yllin për ta mbrojtur titullin e kampionit.

“Unë besoj se në Kosovë pati shumë lojtarë të huaj të mirë gjatë këtij edicioni, ndoshta edhe më të mirë se që kam pritur. Mirëpo unë e kam shijuar kohën time këtu. Erdha në ekip për të luajtur dhe këtë e bëra me kokën ulur. Ndihmova shokët dhe mundohesha me përpikëri t’i kryeja detyrat e trajnerit”, u shpreh Graf, për të cilin titulli i fituar në Kosovë është i pari në karrierë. “Jo vetëm titulli i parë në karrierën si profesionist, por ishte edhe hera e parë që kam luajtur në serinë e plejofit. Jam shumë i lumtur dhe i kënaqur me këtë arritje”.

Graf karrierën si profesionist e ka nisur në vitin 2017 tek ekipi nga Kroacia, KK Alkar, për të vazhduar në Gjermani te VfL Kirchheim Knights. Prej vitit 2020 ai ishte pjesë e ekipit elitar të Ukrainës, Kharkivski Sokoly, por u detyrua të largohet në fillim të vitit për shkak të luftës që e nisi Rusia. Dhe kur mendoj se edicioni 2021/22 për të kishte marrë fund, plejmejkeri mori një thirrje nga skuadra e Yllit. Nuk hezitoi për t’iu bashkuar kur iu bë me dije se mund të shpallet kampion.

“Në të vërtetë unë e nisa sezonin në Ukrainë, por duhej të largohesha për shkak të luftës. U ktheva në shtëpi për dy javë, kur mora ofertën nga Ylli. Pas bisedës me trajnerin u binda të vij në Kosovë, pasi ai më tha se nëse do t’i bashkohem Yllit, do të krijojmë një ekip të fortë dhe gjasat do të jenë të mëdha për ta fituar titullin”, pranoi Graf, që nuk e pati të vështirë aspak të adaptohet brenda një periudhe të shkurtër. “Mendoj se adaptimi im te Ylli ishte shumë i lehtë. E them këtë sepse kisha vetëm për t’u stërvitur dhe të luaj basketboll. Kjo është puna ime që e bëj si është më së miri. Pastaj edhe në ekip më pritën shumë mirë dhe ndihem krenar që isha pjesë e Yllit, skuadër me lojtarë shumë të mirë dhe po ashtu me personalitet”.

Graf pranon se vetëm pasi erdhi në Kosovë dhe zhvilloi disa ndeshje e kuptoi tërësisht se mund të shpallej kampion. Ai pranon se kishte ardhur me idenë vetëm për ta përfunduar sezonin dhe për t’u paguar për muajt që ishte pjesë e ekipit nga Suhareka. Forcën e ekipit e pa kur Ylli arriti në finalen e Ligës Unike, të cilën e humbi nga Peja. Amerikani thotë se do të kishte dashur të largohej me dy trofe nga Kosova, por shton se edhe titulli i kampionit është një sukses i jashtëzakonshëm.

“Mendimi im i parë derisa vija te Ylli ishte vetëm ta mbylli sezonin për ata muaj që kishin mbetur dhe të marrë paratë e mia. Por, kur erdha dhe e pashë ekipin e kuptova se kishim gjasa për të fituar trofe”, shtoi Graf. “Sigurisht se synimi kryesor i ekipit ishte mbrojtja e titullit të fituar vitin e shkuar dhe për këtë u angazhuam të gjithë. Donim ta fitonim edhe Ligën Unike. Por nuk ia arritëm dhe e dinim se sezonin mund ta shpëtojmë me titull, gjë që edhe e realizuam”.

Ai insistoi se Superliga ishte cilësore me shumë lojtarë të mirë dhe për këtë arsye nuk e përjashtoi mundësinë që të rikthehet në Kosovë edhe edicionin tjetër. Megjithatë gjithçka varet nga krerët e Yllit. Graf është i hapur për të qenë sërish pjesë e ekipit, nëse konsiderohet i nevojshëm.

Pos në dy amerikanët, Ylli është bazuar në lojën e Erjon Kastratit, Gëzim Morinës, Mikaile Tmushiqit dhe Henrik Shirkos. Paraqitja e kësaj katërshe është përcjellë më shumë, por dy amerikanët, plejmejkeri dhe qendra, dhanë kontributin e tyre të çmuar.