Sport

Gjilani forcon masat para ndeshjes ndaj APOEL-it

Klubit të futbollit Gjilani i kanë mbetur edhe dy ditë kohë për ta bërë gati ekipin për ndeshjen kundër APOEL Nicosias së Qipros. Ndeshjen e raundit të parë të kualifikimeve të Ligës së Evropës kundër klubit qipriot, Gjilani do ta luajë të enjten nga ora 19:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Por për ta vendosur takimin në fushë, Gjilani ka nisur t’i marrë masat me t’u kthyer nga San Marino, ku debutoi në Evropë me fitore 3:1 ndaj Tre Pennes.

Klubi ka vazhduar izolimin e lojtarëve në një hotel në afërsi të Gjilanit, derisa të hënën i ka testuar të gjithë futbollistët. Testimit lojtarët do t’i nënshtrohen edhe të martën (sot) në mëngjes në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).

Gjithë këto masa Gjilani i ka marrë për t’i ikur ndonjë lëshimi që do të mund të rrezikonte zhvillimin e ndeshjes. Kjo mund të ndodhë nëse ndonjë lojtar del me koronavirus. Telashe të kësaj natyre ka pasur Gjilani në San Marino, ndërsa rastet me COVID-19 u kanë kushtuar Dritës dhe Prishtinës me humbje të ndeshjeve me rezultat zyrtar.

Drejtori i klubit Gjilani, Sevdail Robelli, ka thënë se dilemën nëse testet e IKSHKP-së do të pranohen nga UEFA do ta heqin gjatë ditës së martë.

“I kemi bërë testet serologjike në një klinikë private në Gjilan për ta pasur të saktë si e kemi situatën. Asnjë prej nesh nuk ka dalë pozitiv. Është i besueshëm, sepse është një laborator i avancuar. Testin për koronavirus do ta bëjmë edhe në IKSHPK, por dilema është se a na pranojnë apo jo. Do të testohemi nesër (e martë v.j.) nga ora 8:30. Është një situatë diskutabile, sepse në emailin e fundit të marrë nga UEFA na është thënë se lejohen edhe këtu të bëhen, por ta shohim”, ka thënë Robelli.

Në fakt Gjilani, e po ashtu më herët Drita dhe Prishtina janë detyruar që të testohen edhe në shtetet ku kanë pasur të luanin, Zvicër, Gjibraltar dhe San Marino. UEFA nuk ka licencuar asnjë laborator në Kosovë, derisa një të tillë e ka në Shkup – “SynLab”.

Klubet kanë provuar edhe më herët të kryejnë testimin në këtë laborator, por, siç është njoftuar nga Federata e Futbollit e Kosovës, shtetet ku janë laboratorët e licencuar, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, nuk i lejojnë të hyjnë shtetasit e Kosovës.

“Nëse nuk pranohen, atëherë duhet të shkojmë në Shkup ose Tiranë, apo edhe të vijnë të na i marrin mostrat këtu. Por, siç duket nuk do të ketë nevojë”, është shprehur Robelli.

Klubi Gjilani është i izoluar, derisa vetëm për stërvitje largohet nga hoteli. Stërvitjet po i zhvillon në stadiumin e qytetit të Gjilanit. Edhe para se ta zhvillojë ndeshjen në San Marino, Gjilani për një javë qëndroi i izoluar në hotel.

“Nuk jemi duke i lënë të dalin nga hoteli, vetëm nga hoteli për në stadium. Jemi munduar ta menaxhojmë situatën deri në maksimum”, ka deklaruar ai.

Robelli ka theksuar se në ndihmë u ka dalë edhe Federata e Futbollit e Kosovës (FFK). Organizimin e ndeshjes kundër APOEL-it e ka marrë përsipër FFK-ja.

“Federata e ka marrë përsipër organizimin e ndeshjes, janë angazhuar disa persona për të na ndihmuar. Na është hequr një barrë e madhe”, ka thënë drejtori Robelli.

Ai ka thënë se edhe klubi nga Qiproja i ka dërguar disa kërkesa që, sipas tij, janë të përballueshme. Ai ka treguar se APOEL-i pritet të vijë në Kosovë të mërkurën në mëngjes.

“Nuk ka ndonjë kërkesë që nuk mund të mbulohet. Kanë kërkuar që të kenë një stërvitje para lojës, përcjellje të policisë, ujë, topa, akull dhe një vend për kamerë. Janë gjëra të realizueshme”, ka deklaruar Robelli.