Gjilani dhe Feronikeli kanë ndarë pikët në duelin e vetëm që nuk dha fitues në kuadër të xhiros së dytë.
Të dyja skuadrat vinin në këtë ndeshje pas tri pikëve të fituara ndaj Besës respektivisht Drenicës në javën hapëse të elitës së futbollit kosovar dhe kërkonin që të vazhdonin me fitore.
Gjilani që kishte përkrahjen edhe të tifogrupit “Skifterët”, e kërkoi golin që nga fillimi i ndeshjes dhe rastin e parë e pati pas 16 minutash lojë.
Ishte mbrojtësi i krahut, Armend Thaqi, që kishte mundësi të mirë shënimi por gjuajtja e tij përfundoi mbi portë
4 minuta më vonë, i disponuari për lojë Thaqi harkoi në zonë e rreptësisë dhe harkimin e mbrojtësit të Gjilanit e dërgoi gabimisht në portën e tij, kapiteni i Niklit, Lulzim Doshlaku.
Gjilani nuk u ndal me kaq dhe kërkoi që ta dyfishonte avantazhin, kur në minutën e 27-të, ishte përsëri mbrojtësi Thaqi që këtë herë gjeti të lirë Gëzim Rusin, por gjuajtjen e sulmuesit të Gjilanit e ndali portieri Maloku.
Rusi tentoi përsëri nga gjuajtja e lirë në fund të pjesës së parë, por Maloku në formë, sërish reagoi mjaft mirë.
Në pushimin mes pjesëve, trajneri Gani Sejdiu inkuadroi në lojë Astrit Thaqin dhe të transferuarin nga Drenica, Kreshnik Lushtakun.
Ky i fundit ishte protagonist në barazimin e rezultatit pasi me të filluar pjesa e dytë, Lushtaku gjuan nga jashtë zonës dhe topin e devijuar nga portieri mysafir e dërgoi në rrjetë Mark Milicaj.
2 minuta më vonë Nikli lëshoi mundësi ideale për të kaluar në epërsi. Dyshja Milicaj-Lushtaku dhuroi një aksion të bukur, por gjuajtjen e këtij të fundit e largoi nga vija fatale mbrojtësi Fisnik Papuqi dhe rezultati mbeti i pandryshuar.
Skuadra e drejtuar nga Arbnor Morina u këndell në minutat në vazhdim dhe në minutën e 63-të, krijoi rast të mirë për shënimi por gjuajtjen e Fatih Karahodës e ndali gardiani mysafirë Maloku.
Krejt në fund të takimit, Lushtaku kishte mundësi të gjendej më mirë në këtë situatë, por gjuajtja e tij përfundoi mbi portë.
Deri në fund të dy palët u munduan të ndryshojnë diçka por rezultati mbeti 1:1.
Gjilanin në xhiron e ardhshme e pret udhëtim i vështirë te Llapi kurse Feronikeli e pret në shtëpi, Besën.