Sport

Gjeniu sovjetik që bota e futbollit kurrë nuk arriti ta shohë

Moskë, janar (BBC) – “Ata po përpiqen të na helmojnë!”, bërtiti Fyodor Cherenkov derisa nuk pranonte ta pinte supën. Shokët e tij të Spartakut të Moskës, së bashku me të në dhomën e ngrënies, mbetën të shtangur. Ishte muaji mars i vitit 1984 dhe ata po përgatiteshin për ndeshjen e kthimit të çerekfinales të Kupës së UEFA-s kundër Anderlechtit, që do të luhej në Tbilisi për shkak të motit të ftohtë në kryeqytetin sovjetik. Belgët e kishin fituar ndeshjen e parë në Bruksel (4:2), por Spartaku kishte gjasat e veta në duelin e kthimit. Spartaku kishte një ekip brilant, faktikisht kishte lojtarët më të mirë të një brezi në radhët e veta.

Mirëpo diçka nuk ishte në rregull me yllin e skuadrës, Cherenkovin. Vetëm katër muaj më parë, Cherenkov kishte shkëlqyer në skenën evropiane, duke shënuar dy gola - përfshirë golin e minutës së fundit që përcaktoi fituesin - ndërsa Spartaku eliminoi Aston Villan. Sipas raporteve, tek ekipi anglez ishin aq të impresionuar me Cherenkovin, saqë u përpoqën ta transferonin menjëherë mesfushorin atëbotë 24-vjeçar. Megjithatë, anglezët e dinin shumë mirë që Bashkimi Sovjetik nuk do të lejonte kurrë që futbollistët e këtij vendi – sidomos ylli Cherenkov – të transferoheshin në Perëndim.

Në përgjithësi, 1983-a kishte qenë një vit fenomenal për Cherenkovin. Pa dyshim ishte futbollisti më i mirë në vend dhe fitoi çmimin e lojtarit të vitit në Bashkimit Sovjetik, edhe pse Spartaku përfundoi i dyti në kampionat. Cherenkov ishte një figurë e rëndësishme edhe për ekipin përfaqësues dhe shënoi dy herë në fitoren e thellë 5:0 ndaj Portugalisë në ndeshjen kualifikuese për Kampionatin Evropian. Kjo rritje e madhe dhe e shpejtë e Cherenkovit solli edhe nivele të reja të presionit.

“Barra psikologjike mbi të ishte ndoshta shumë e rëndë”, thotë Sergey Rodionov, sulmues i Spartakut në vitet ‘80 dhe shoku më i ngushtë i Cherenkovit.

Ata që kanë parë skenat e frikshme në Tbilisi nuk kanë dëshirë të flasin për to. Cherenkov përjetoi halucinacione, vizione të rreziqeve imagjinare dhe madje u përpoq të hidhej nga dritarja e hotelit.

Trajneri i Spartakut, Konstantin Beskov, e dinte se ai nuk do të ishte në gjendje të luante kundër Anderlechtit. Ndërsa Cherenkov nuk e kuptonte se pse u la jashtë ekipit për këtë duel të rëndësishëm. Rodionov shënoi një gol të vonshëm për fitoren 1:0 ndaj Anderlechtit, por kjo nuk i mjaftoi Spartakut që u eliminua me rezultatin e përgjithshëm 4:3.

Mirëpo eliminimi ishte gjëja e fundit në mendjet e lojtarëve të Spartakut. Shëndeti i Cherenkov i shqetësoi ata. Pas kthimit në Moskë, ai u dërgua menjëherë në spital dhe u kthye në fushë vetëm në muajin qershor.

Nga çfarë vuante ai? Askush nuk e di me siguri, por edhe vizitat në spital u bënë të shpeshta. Kjo edhe do të formonte pjesën tjetër të karrierës së Cherenkovit dhe do të ishte pjesë e jetës së tij deri në fund.

“Fyodori kishte periudha depresioni dhe stresi, por ne kurrë nuk e kuptuam plotësisht natyrën e këtyre problemeve. Gjenitë nuk mund të diagnostikohen. Ne vetëm mund të parashikojmë”, thotë Rodionov.

I përshkruar si gjeni

Fjala “gjeni” përdoret në mënyrë universale nga ata që e panë Cherenkovin duke luajtur dhe veçanërisht nga ata me fat të mjaftueshëm për të qenë shokët e tij të ekipit.

“Ai ishte një gjeni i rrallë që mund të driblonte, të kalonte dhe të gjuante”, thotë Vagiz Khidiyatullin, një mbrojtës i Spartakut dhe bashkëlojtar i Cherenkovit. “Loja e tij ishte art i pastër. Me çdo lëvizje, ai e bënte jetën më të lehtë për shokët e tij të skuadrës dhe më të vështirë për kundërshtarët. Inteligjenca e tij ishte e jashtëzakonshme”.

Tifozët pëlqenin ta shikonin Cherenkovin nga afër. Ai ishte i përshtatshëm në mënyrë të përsosur për stilin krijues, të favorizuar nga trajneri Beskov te Spartaku. Skuadra kishte fituar kampionatin në edicionin e parë të plotë të Cherenkovit në formacionin startues, në vitin 1979. Që atëherë ai e kishte përcaktuar ecurinë e Spartakut. Përkrahësit e adhuruan atë. Por ai gjithashtu kishte një tërheqje unike, më të gjerë. Edhe ata që e përbuznin Spartakun e donin Cherenkovin. Ai njihej si “futbollisti i njerëzve”. Aftësitë e tij ishin të papërmbajtshme dhe personaliteti i tij e bëri atë të popullarizuar në çdo cep të Bashkimit Sovjetik. Me zemër të mirë, bujar, modest dhe i ndrojtur, Cherenkov nuk i përshtatej modelit të zakonshëm të një futbollisti “yll”. Në fakt, ai kurrë nuk u ndie si yll.

“Fyodori gjithmonë pyeste veten: ‘Pse mua? Pse ata këndojnë emrin tim? Pse u pëlqej kaq shumë?’. Ai nuk mund ta kuptonte pse ishte kaq i popullarizuar”, thotë ish-shoku i skuadrës, Sergey Shavlo.

Cherenkov dukej se ishte një djalë i rregullt, i cili rastësisht ishte jashtëzakonisht i mirë në futboll. Ai ishte i afërt dhe i butë, por kurrë nuk pranoi të ishte në një fotografi ose të nënshkruante një autograf. Ai pëlqente të bënte dhurata jo vetëm anëtarëve të familjes dhe miqve, por edhe fqinjëve dhe të huajve.

“Fyodori interesohej për njerëzit. Mirësia e tij me të vërtetë nuk njihte kufij”, shton Rodionov.

Vajza e Cherenkovit, Anastasia, ishte një fëmijë i vogël gjatë viteve ‘80.

“Nuk e kuptova madhështinë e babait tim, sepse ai nuk u soll si një yll”, pranon ajo. “Kur njerëzit e ndalonin atë në rrugë, ai thjesht fliste me ta në heshtje dhe me edukatë. Ai i urrente komplimentet”.

Ai ishte modest edhe në zhveshtore. Megjithatë, një përshtypje e brishtësisë mund të jetë mashtruese.

“Fjodor ishte me vullnet të fortë. Dikush mund të ishte tunduar për të parë sëmundjen e tij si një tregues i dobësisë, por në realitet ishte pikërisht e kundërta”, shpjegon Rodinov. “Imagjinoni sa e vështirë është të kthehesh në fushën e futbollit pas një periudhe krize në spital dhe të luash në nivelin më të lartë. Kjo është tepër e vështirë, si psikikisht ashtu edhe fizikisht. Edhe pse humbi shumë stërvitje, Fyodor u kthye dhe luajti shkëlqyeshëm”.

Gjerësisht i parë si futbollisti më i mirë sovjetik i dekadës, Cherenkov duhej të kishte marrë pjesë në tri kampionate botërore, por u la jashtë në vitin 1982, 1986 dhe 1990. Ai u përjashtua edhe për “Euro 88”, dhe kështu mbeti relativisht i panjohur jashtë vendit të tij të lindjes .

Cili ishte arsyetimi pas vendimit për ta hequr atë? A ishte faji i sëmundjes?

Është e pamundur të thuhet me siguri. Rodionov thotë se ai kurrë nuk do të fliste për këtë çështje. Në vitin 1982, shëndeti i tij nuk ishte përfundimisht problem. Ishte një faktor tjetër prapa mungesës së tij. A e shihnin drejtuesit atë si një “rrezik”?

Image

Shkëlqimi te Bashkimi Sovjetik dhe transferimi në Francë

Në fillim të karrierës së tij, Cherenkov kishte shkëlqyer edhe me ekipin përfaqësues. Me vetëm 20 vjet, ai shënoi gol në fitoren 2:1 ndaj Brazilit në vitin 1980, një miqësore e profilit të lartë që festonte 30-vjetorin e stadiumit “Maracana”. Tifozët e Brazilit ishin të impresionuar me aftësitë e tij. Dukej se ai ishte i destinuar për një karrierë të madhe ndërkombëtare. Me trajnerin e Spartakut, Beskovin, mentorin e tij të dashur, që drejtonte ekipin e pazakontë të trajnerëve të Bashkimit Sovjetik me tre burra në Botërorin e vitit 1982 - së bashku me Valery Lobanovsky të Dynamo Kievit dhe Nodar Akhalkatsi të Dinamo Tbilisit - Cherenkov pritej të hynte në skuadër. E megjithatë ai u la jashtë.

Pasi u rikuperua nga shqetësimi i tij i parë mendor në vitin 1984, Cherenkov u bë pjesë integrale e planeve të Bashkimit Sovjetik për Kupën e Botës në vitin 1986, por përsëri u sëmur gjatë një kampi stërvitor të dimrit në Meksikë. Kur trajneri i atëhershëm, Eduard Malofeev, u zëvendësua në mënyrë të diskutueshme nga Lobanovsky dy javë para turneut, ishte e qartë se trajneri do të ndërtonte ekipin e tij rreth lojtarëve të Kievit që ai sapo e kishte udhëhequr drejt triumfit në Kupën e Fituesve të Kupave. Cherenkov lehtë mund të ishte përshtatur në ekip, por Lobanovsky me sa duket kishte ide të tjera. Frika për gjendjen e tij mund të ketë luajtur një rol, beson Rodionov.

“Ishte një turne i gjatë dhe seancat stërvitore të Lobanovskyt ishin jashtëzakonisht intensive”, thotë ai. “Lartësia mbidetare është e madhe në Meksikë dhe kjo mund të jetë domethënëse. Ndoshta Lobanovsky nuk donte të rrezikonte me Cherenkovin”.

Te Spartaku, Cherenkov vazhdonte të lulëzonte, veçanërisht në vitet e çuditshme midis turneve të mëdhenj ndërkombëtarë, duke e çuar skuadrën e tij në triumf të dyfishtë – kupë dhe kampionat – në vitin 1987, përpara se të fitonte titullin sërish në vitin 1989, kur ai u votua gjithashtu si lojtari më i mirë i sezonit.

Në moshën 30-vjeçare, Kupa e Botës në Itali ishte shansi i tij i fundit për lavdi në një turne të madh. Por Lobanovsky përsëri zgjodhi të mos e thërriste atë dhe 1990 ishte ndoshta viti më i zymtë për Cherenkovin. Ky ishte gjithashtu viti që ai zgjodhi të provonte fatin e tij jashtë vendit, pasi ra “perdja e hekurt”.

Duke e kuptuar plotësisht se jeta do të ishte e pakëndshme jashtë Moskës, Cherenkovi donte vetëm të shkonte në një aventurë të re së bashku me Rodionovin. Secili mori oferta të shumta veç e veç, por çuditërisht vetëm ekipi i kategorisë së dytë të Francës, Red Star, pranoi t’i transferonte të dy. Kështu talenti i madh sovjetik u bashkua me një ekip të vogël nga Parisi, krejtësisht i papërshtatshëm për nivelin e tij. Problemet e tij psikologjike u bënë edhe më të padurueshme dhe ai u kthye në atdheun e tij para kohe.

Përfundimi i trishtë i karrierës

Në muzg të karrierës së tij unike, Cherenkov shkëlqeu papritmas përsëri te Spartaku në vitin 1991 dhe 1993, por e kaloi gjithë vitin 1992 jashtë futbollit për shkak të sëmundjes. Kurdoherë që ishte i aftë dhe mund të luante, tifozët shkonin në stadium për ta parë me buzëqeshje në fytyrë. Ai ishte akoma “futbollisti i njerëzve” dhe vazhdoi të mbahej në atë drejtim edhe pas pensionimit në vitin 1994. Pa futboll Cherenkov u zhduk nga jeta publike. Ai luftoi me periudha sëmundjesh që u bënë gjithnjë e më serioze dhe u përpoq t’ia merrte vetes jetën në më shumë se një rast. Dashuria e publikut e mbajtur për të ishte e qartë për të gjithë dhe kjo u dëshmua kur ai vdiq në tetor të vitit 2014, në moshën 55-vjeçare. Ai u rrëzua jashtë shtëpisë së tij dhe u shpall i vdekur pak pasi mbërriti në një spital lokal të Moskës. Një autopsi gjeti një tumor në trurin e tij. Mijëra njerëz shkuan në funeralin e tij, dhe jo vetëm tifozët e Spartakut. Ata që ishin të pranishëm mbanin fanellat e Zenitit, CSKA Moskës ose Dynamo Kievit, sepse Cherenkov ishte futbollisti që bashkoi kombin. Ai ishte më shumë se vetëm një yll futbolli. Ai ishte një simbol i vërtetë i epokës së tij. Askush - madje as portieri i shkëlqyer Lev Yashin - nuk u adhurua aq sinqerisht nga të gjithë.

“Unë e kuptova plotësisht sasinë e dashurisë që kishin njerëzit për babanë tim, pasi ai vdiq”, thotë Anastasia. “Njerëzit erdhën tek unë dhe thanë se një pjesë e shpirtit të tyre kishte vdekur me të. Ata vazhdojnë ta thonë këtë edhe sot. Është shumë prekëse. Unë jam aq mirënjohëse ndaj tyre që ata ende e kujtojnë atë”.

Ndërkohë, Rodionov shton: “Fyodori vazhdon të jetojë në zemrat e njerëzve. Ai u dha njerëzve dritë dhe drita u kthye tek ai. Atij i pëlqente të luante futboll, edhe nëse ishte e vështirë ndonjëherë. Çdo prekje e topit ishte shërimi më i mirë për të. Ai ishte një gjeni me një fat tragjik”.