22-vjeçari Georgi Minoungou nuk e la futbollin edhe pse u verbua në njërin sy. Dhe sot ai po luan në Kupën e Botës për Klube për skuadrën amerikane Seattle Sounders.
Sulmuesi i ri nga Bregu i Fildishtë pati kthesë të madhe në jetë para dy vjetësh. Gjatë një kampi stërvitor në Spanjë ai u diagnostikua me një infeksion në syrin e majtë. Për shkak të infeksionit e humbi shikimin në atë sy.
“Nuk e di se çfarë ndodhi. Ka qenë njëri prej momenteve më të vështira të jetës. Pamja shkonte duke u dobësuar në secilën stërvitje dhe duhej të operohesha”, ka thënë Minoungou, i cili luajti për grupmoshën U20 të vendit të tij, shkruan mediumi kroat “Jutarnji List”.
Pavarësisht sfidës ai ia arriti që të depërtonte në ekipin e parë të Seattle Sounders në vitin 2024. Minoungou nënshkroi kontratë të vlefshme deri në vitin 2028, me opsionin e vazhdimit edhe për një vit tjetër. Ai i ka luajtur 35 ndeshje në ligën MLS të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. E ka një gol të shënuar e pesë asistime.
“Kjo nuk më ndal. Unë nuk mund të shikoj me syrin tim të majtë, por po vazhdoj tutje. Mund të shoh me njërin sy, por mund të bëj më shumë se disa njerëz që shohin me të dy sytë. Ky është mentaliteti im. Ëndrra ime ka qenë të luaj në nivelet më të larta. Edhe pse nuk ka qenë e lehtë, kam punuar fort dhe ia kam arritur”, kishte thënë futbollisti i Seattle Sounders për “Marcan” spanjolle.
Ai luajti në dhjetë minutat e fundit kundër Atletico Madridit në humbjen 3:1, ndërsa ishte në bankën rezervë në humbjen 2:1 nga Botafogo, në kuadër të Grupit B.
Së fundmi “The Seattle Times” ka shkruar se Minoungou është inspirim për bashkëlojtarët e tij.
“Ndonjëherë në dhomën e zhveshjes bashkëlojtarët më pyesin ‘Georgi, çfarë ke? Ti gjithmonë je i qeshur’. Unë jam një djalosh i lumtur edhe kur jam duke kaluar nëpër vështirësi. Sot mund të mos jetë mirë, por asnjëherë nuk e di se çfarë mund të ndodh nesër”, ka thënë Minoungou.
22-vjeçari që luan në disa role në fazën sulmuese, është zhvilluar si futbollist te skuadra çeke MFK Vyskov. Karrierë ka bërë edhe te Tacoma Defiance.
Por, shkëlqimin e deritashëm në karrierë e ka pasur te Seattle Sounders.
Ndeshjen e fundit në grup në Kupën e Botës për Klube, Seattle Sounders do ta luajë ndaj fituesit të Ligës së Kampionëve, Paris Saint-Germainit. Ky ballafaqim zhvillohet të hënën nga ora 21:00.
Seattle Sounders ende ka shpresë për të avancuar në fazën nokaut, ndonëse gjasat i ka shumë të vogla.