Sulmuesi Olivier Giroud do të jetë pjesë e skuadrës së Milanit edhe pas përfundimit të sezonit aktual.
“Gazzetta dello Sport” ka raportuar të premten se Giroud ka arritur marrëveshje me klubin për rinovimin e kontratës që i skadon në fund të këtij sezoni.
Me rinovimin e kontratës, që do të zyrtarizohet pas Kampionatit Botëror “Katari 2022”, Giroud do të jetë pjesë e Milanit deri në verën e vitit 2024.
Këtë edicion, Giroud ka treguar paraqitje fantastike te Milani dhe është njëri prej lojtarëve kyç në ekipin e trajnerit Stefano Pioli.
36-vjeçari ka shënuar tetë gola dhe ka bërë katër asistime në 17 paraqitje në të gjitha garat.
Ai iu bashkua Milanit në verën e vitit të shkuar dhe në edicionin e tij të parë e fitoi titullin e kampionit të Italisë.