Sport

Giannis, ylli i Milwaukees që po e lë shenjën e tij në serinë finale të NBA-së

Giannis Antetokounmpo tundi kokën duke mos dashur të vlerësohet në nivelin e lojtarit të vetëm që ka shënuar 40 pikë rresht në ndeshje të serisë finale të NBA-së.

“Unë nuk jam Michael Jordani”, tha Antetokounmpo.

Jo, por ai është pikërisht lojtari që i duhet ekipit të Milwaukee Bucks nëse do ta fitojë titullin e parë në 50 vjet. Milwaukee mund ta barazojë serinë finale në 2:2 kundër Phoenix Suns në ndeshjen e katërt që luhet më 15 korrik.

Me 42 dhe 41 pikë në dy ndeshjet e tij të fundit, Antetokounmpo është bashkuar me LeBron Jamesin, Shaquille O’Nealin, Jerry Westin dhe Rick Barryn, si lojtarët që kanë shënuar në dy ndeshje rresht të serisë finale të NBA-së, të paktën 40 pikë. Kjo është vetëm gjysma e rrugës për të arritur Jordanin, i cili shënoi në katër ndeshje rresht të paktën 40 pikë në vitin 1993 kundër Phoenixit.

“Unë nuk jam Michael Jordani”, përsëriti Antetokounmpo. “Por ju e dini, gjithçka që më intereson tani është të marrim edhe një fitore. Pra, thjesht të kujdesem që ekipi të barazojë serinë”.

Kur Antetokounmpo u kthye nga dëmtimi i gjurit me 20 pikë dhe 17 kërcime në ndeshjen e parë të serisë, ai dha një sinjal premtues për Milwaukeen. Mirëpo Antetokounmpo është lojtar që do të ketë gjithmonë statistika të mira. Statistikat e ndeshjes së parë nuk ishin të mjaftueshme, pasi ai nuk e ndihmoi ekipin të evitojë humbjen. Dy ndeshjet e fundit ishin fantastike për Giannisin në këtë seri finale. Ai kishte 42 pikë e 12 kërcime në lojën e dytë, pastaj 41 pikë, 13 kërcime dhe gjashtë asistime ndërsa Bucks më në fund e regjistroi fitoren e parë në këtë seri me rezultatin 120:100.

“Ai thjesht po bën gjithçka që duhet për të ndihmuar ekipin e tij, për të na ndihmuar”, tha trajneri i Bucksave, Mike Budenholzer.

Mbetet të shihet nëse Antetokounmpo do të jetë në gjendje ta ndihmojë ekipin e tij për ta fituar titullin e parë të kampionit në NBA që nga viti 1974. Ai është i vendosur për ta bërë dhe për ta shijuar këtë.

“Unë dua që shokët e mi të ekipit ta shijojnë lojën dhe e di që duke shijuar lojën, unë do të jap gjithçka nga vetja për t’i udhëhequr ata drejt suksesit. Dua të bëj gjënë e duhur dhe të kemi mundësinë për ta shijuar titullin e parë pas një periudhe të gjatë”, tha Antetokounmpo.