Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Gastaldello: Lojtarët janë të frikësuar të kthehen

Mbrojtësi i Brescias, Daniele Gastaldello ka thënë se futbollistët janë të frikësuar të kthehen në fushë.

Serie A është duke punuar në protokollin me qeverinë italiane dhe skuadrat i janë kthyer stërvitjeve individuale. Po shpresohet të vazhdohet me ndeshjet e mbetura të stinorit 2019-20.

Por, mbrojtësi i Brescias thotë se nuk është e drejtë që t’u kërkohet lojtarëve të rrezikojnë veten për të kompletuar stinorin.

“Unë do të them jo. Unë besoj se ajo që kemi parë në Lombardi nuk erdhi edhe në mes apo jug të shtetit. Për fat të mirë nuk erdhi. Po të më pyesin mua, unë jam që të mos vazhdohet. Nuk ka as kushte për këtë, nuk ndjehemi të sigurt. Na kërkohet t’i kthehemi stërvitjeve dhe të luajmë menjëherë, duke luajtur 12 ndeshje për një muaj e gjysmë. Është e padrejtë, prek sigurinë e gjithë lojtarëve. Unë flas për vete dhe bashkëlojtarët e mi. Ne jemi të frikësuar. Jemi të ekspozuar, jo vetëm futbollistët, por edhe punëtorët, fizioterapeutët. Jemi të gjithë në kontakt, pasi është e pamundur të jetë ndryshe. Një izolim dymujor? Nuk ka kuptim, është kundër natyrës. Ne jemi profesionistë, por edhe njerëz, kemi bashkëshorte e fëmijë. Nuk ka as një protokoll momentalisht”, ka thënë Gastaldello për “La Repubblica”.

Presidenti i Brescias, Massimo Cellino, ka qenë ndër kundërshtuesit më të mëdhenj që të vazhdohet stinori. Madje kërcënoi edhe se nuk do ta fusë në fushë skuadrën. Brescia zë vendin e fundit në Serie A.

Edhe portieri i Genoas, Mattia Perin, ka thënë se disa lojtarë po frikësohen të kthehen në fushë.