Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Cellino insiston se Brescia nuk do të luajë

Foto: ANSA

Presidenti i Brescias, Massimo Cellino insiston se ai do ta pranonte rënien e klubit të tij nga Serie A, por insiston se klubi i tij nuk do të luajë më këtë stinor që është pezulluar shkaku i pandemisë COVID-19.

Derisa Federata e Futbollit të Italisë (FIGC) ka bërë gati një protokoll se si të vazhdohet stinori në mënyrë të sigurt, disa klube insistojnë që të mos vazhdohet stinori 2019-20 në Serie A.

“FIFA është e pajtimit që të mbyllim stinorin këtu, CONI (Komiteti Olimpik i Italisë) po ashtu, vetëm federata është duke krijuar gjithë këto komisione. Ne jemi duke përjetuar një tragjedi këtu. Unë jetoj në Brescia dhe po shoh gjëra që asnjëri nuk duhet të shoh. Jam i frikësuar të dal në oborr të shtëpisë, e lëre më të dal për ecje. Për këtë arsye jam i zemëruar me këtë”, ka thënë Cellino për “Radio 24”.

Brescia, Bergamo dhe Milano janë prekur më së rëndi nga pandemia në Itali. Derisa Lazio po kërcënon me padi nëse stinori nuk përfundohet, Cellino insiston se klubi i tij nuk do të luajë.

“Nëse duhet që Brescia të bie nga liga për të shpëtuar futbollin, atëherë do të pranoj këtë rënie dhe do të shkoj në Serie B me kokë lartë. Njerëzit janë duke u fshehur prapa problemeve ekonomike”, ka thënë Cellino.

Ai po ashtu ka folur për uljen e pagave të lojtarëve.

“Lojtarët paguhen për të luajtur ndeshje, e jo për të stërvitur. Nëse nuk luajmë, atëherë lojtarët duhet të heqin dorë nga diçka dhe ne mund të nisim stinorin e ardhshëm. Si mund të mendojmë të luajmë stinorin e ardhshëm në shtator pa pasur asnjë ditë pushim? Lojtarët do të lëndohen, atyre u duhen stërvitje para-sezonale. Nëse nuk kemi të hyra, atëherë them se ata do të blejnë një Lamborghini më pak. Ata janë të gatshëm për të bërë këtë, por duhet të qartësojmë me ta se çfarë po ndodh. Ne nuk mund që t’ua ulim pagën dhe më pas t’i detyrojmë të luajnë tri ndeshje në javë”, ka thënë Cellino.

Artikuj të ngjashëm