Presidenti i klubit të Serie A së Italisë, Brescia, Massimo Cellino ka testuar pozitiv me COVID-19 dhe ai është më i vendosur se kurrë për të mos vazhduar stinorin.
Ish-pronari i Cagliarit dhe Leeds Unitedit ka konfirmuar se është diagnostikuar me koronavirus, së bashku me vajzën, por nuk është e qartë se kur është testuar dhe se sa gjatë e di që është i infektuar.
“Unë isha në Cagliari për disa ditë, pasi qëndrova në karantinë në Brescia për tri javë. Shkova në spital për disa teste. Vajza ime mori virusin, por i biri im jo. Unë po përballem me virusin tash. Unë jam ndjerë shumë i lodhur dhe kisha dhembje në eshtra”, ka thënë Cellino për “Sardegna 1”.
Cellino më herët ka insistuar se nëse vendoset që të vazhdohet stinori në Serie A atëherë ai nuk do të dërgojë në fushë skuadrën e tij.
“Shefi i Serie A, Luigi Di Siervo më telefonoi dhe më pyeti nëse jam i gatshëm të luajë në fushë neutrale. Unë nuk jam i gatshëm të luajë fare. Stinori duhet të mbarojë këtu dhe sigurisht se nuk mund të shkojmë përtej 30 qershorit. Unë dëgjoj fjalë se mund të vazhdohet deri në shtator apo tetor, është çmenduri”, ka thënë Cellino.