Presidenti i klubit italian Brescia, Massimo Cellino ka kërkuar të mos vazhdohet stinori në futbollin italian shkaku i koronavirusit.
Brescia është në rajonin më të goditur nga koronavirusi në Itali.
Stinori në Itali është pezulluar nga 9 marsi, për shkak të shpërthimit të koronavirusit.
Vendi është mbyllur dhe kjo situatë mund të zgjasë edhe disa javë. Shkollat nuk priten të hapen deri pas verës. Shitoret pritet të qëndrojnë të mbyllura për shumë javë. Qeveria ka urdhëruar fabrikat e mëdha të pezullojnë operacionet e tyre.
Mirëpo, disa klube italiane me aspirata për titull, po mendojnë t’i kthehen stërvitjeve dhe ndeshjeve sa më shpejt të jetë e mundur. Po synojnë të luajnë ndeshje edhe pa tifozë.
Presidenti dhe pronari i klubit të Serie A, Brescia, Massimo Cellino ka qenë i ashpër në këtë aspekt.
Edhe
Cellino insiston se Brescia nuk do të luajë
“Jeta së pari. Jeta”, ka thënë biznesmeni 63-vjeçar për “Corriere dello Sport”, transmeton Koha.net. “Çdo gjë duhet të shtyhet për stinorin e ardhshëm. Është koha për realizëm. Kjo është murtajë”.
Koronavirusi ka marrë jetën e afro 5000 personave në Itali.
Brescia është një nga qytetet më të goditura në rajonin e Lombardisë. Deri të shtunën shifra e të vdekurve në Lombardi ishte mbi 3000.
Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte ka dhënë indikacione se ndalesat në vend do të zgjaten me javë nëse jo me muaj.
Presidenti i klubit Torino, Urbano Cairo i ka thënë mediumeve italiane se është çmenduri të mendohet për futboll gjatë asaj që Conte e ka quajtur të shtunën si katastrofën më të madhe të Italisë që nga Lufta e Dytë Botërore.
“Të thuhet se rajoni im nuk ka problem, kur situata po ndryshon në mënyrë konstante, është çmenduri”, ka thënë Cairo.
Presideti i Brescias, Cellino pajtohet me këtë.
“Ky stinor ka mbaruar. Çdo ekip që e dëshiron këtë titull të nëmur le te marrë. Është mbyllur ky stinor. Ka mbaruar. E nuk po e them këtë vetëm se Brescia gjendet në vend të fundit në renditje”, ka thënë Cellino.