Presidenti i klubit të Serie A së Italisë, Brescia ka thënë se nuk ka kuptim që stinori në Serie A të rinisë dhe se më para do të humbiste ndeshjet me rezultat zyrtar sesa të rrezikonte lojtarët.
Italia është mbyllur që nga 9 marsi dhe kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte të mërkurën ka thënë se do të mbetet kjo masë së paku deri më 13 prill.
Ai ka shtuar se qeveria do të nisë të zbusë masat vetëm pas aprovimit të këshilltarëve shkencorë, dhe nuk ka caktuar një datë se kur do të ndodhë kjo.
Ndërkohë, nuk ka indikacion se kur do të nisin ndeshjet e futbollit, apo edhe stërvitjet.
“Ky stinor nuk ka kuptim të vazhdohet”, ka thënë presidenti i Brescias, Massimo Cellino në intervistë për “Gazzetta dello Sport” të enjten. “Ne kemi ndaluar, asnjë skuadër nuk do të kthehet si më parë, ndeshjet do të luhen pa shikues dhe rrezikojmë shëndetin e lojtarëve. Për mua është çmenduri të kthehemi në fushë. Nëse na detyrojnë të luajmë, atëherë nuk do të jem i gatshëm të fusë skuadër në fushë dhe do të humbasim ndeshjet me rezultat zyrtar 3:0, në shenjë respekti ndaj qytetarëve të Brescias dhe të dashurve të tyre që më nuk janë në mesin tonë”.
Bojkotimi i ndeshjeve zakonisht regjistrohet me rezultat zyrtar 3:0 për kundërshtarin.
Edhe
Presidenti i Brescias insiston se skuadra e tij nuk do të luajë këtë stinor
Cellino ka kritikuar edhe idenë që stinori të vazhdohet deri në gusht apo shtator.
Ai po ashtu ka hedhur poshtë raportimet se po mundohet të shpëtojë Brescian nga rënia nga liga, pasi që Brescia zë pozitën e fundit në renditje.
“Stinori duhet të mbarojë më 30 qershor, që është afati i fundit për dorëzimin e raportit financiar të klubit dhe po ashtu afati kur skadojnë kontratat e lojtarëve. Për të vazhduar stinorin, ne duhet të ndryshojmë të gjitha rregullat nacionale dhe ndërkombëtare: kontratat e lojtarëve, financat, afatet përfundimtare në bankë, afatin e transferimit të lojtarëve, përgatitjet, fillimin e stinorit të ri. Do të jetë kaos absolut, e për çfarë ?”ka thënë Cellino.