Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Gasol emocionohet teksa LA Lakers tërheq fanellën me numrin 16

Kur Pau Gasol iu bashkua Los Angeles Lakersave, pak më shumë se 15 vjet më parë, basketbollisti spanjoll përmirësoi etikën e punës dhe menjëherë e ktheu ekipin në pretendent. Gasol dhe Kobe Bryant i bënë të gjitha së bashku dhe fanellat me numrat e tyre tani varen pranë njëra-tjetrës në arenën e Lakersave.

Lakersat e tërhoqën fanellën me numër 16 të Gasolit, të mërkurën, duke nderuar njeriun e madh, i cili kaloi sezonet më të mira të karrierës së tij 18-vjeçare në NBA me Bryantin në Los Angeles. Lakers arritën tri finale radhazi të NBA-së pas ardhjes së Gasolit në shkurt të vitit 2008, duke fituar kampionatet në vitet 2009 dhe 2010.

“Mendoj se kam bërë aq mirë sa munda për ta përqafuar dhe shijuar atë, por ky vendim i klubit me të vërtetë tejkalon çdo ëndërr apo pritshmëri që kam pasur”, tha Gasol ndërsa mbante nga një unazë kampionati në secilën dorë. “Kjo do të thotë shumë dhe padyshim që me Koben atje lart, thjesht shton diçka kuptimplote, të fuqishme, të trishtueshme, të lumtur dhe të dhimbshme e të gëzueshme. Janë shumë gjëra”.

Panoja e Gasolit u zbulua gjatë një ceremonie që filloi me të venë e Bryantit, Vanessan, duke prezantuar një video në të cilën Kobe i emocionuar tha se mezi po priste ditën kur Gasol të mbante një fjalim në qendër të fushës, gjatë tërheqjes së fanellës së tij. Gasol u emocionua ndërsa shikonte videon dhe qëndronte pikërisht në atë vend, duke fshirë lotët nga sytë para se të fliste.

“Unë jam i tronditur kur shoh fytyrat këtu. Ka qenë nderi im ta vesh këtë fanellë, të luaj për këtë ekip dhe ta ndihmoj. Unë kurrë nuk do të kisha besuar në një milion vjet që një ditë si kjo mund të vinte”, tha ai.

Loja e gjithanshme e Gasolit plotësoi në mënyrë perfekte aftësinë e Bryantit në shënimin e pikëve, kur spanjolli vendosi të ishte një lojtar mbështetës i një superylli tjetër. Ata krijuan një miqësi të thellë jashtë fushës që zgjati deri në vdekjen e Bryantit në vitin 2020.

Gasol falënderoi Vanessa Bryantin gjatë fjalimit të tij: “Të dua, motër. Jam krenar që jam vëllai yt dhe krenar që jam xhaxha i vajzave të tua”.

Edhe Lakersi zbulon statujën e Kobe Bryantit Sport Lakersi zbulon statujën e Kobe Bryantit

Gasol gjatë kohës së tij me Los Angeles Lakers luajti me mesatare prej 17.7 pikësh dhe 9.9 kërcimeve për lojë. 42-vjeçari Gasol tha se kishte vështirësi për të fjetur gjatë ditëve të fundit, ndërsa mendonte për madhështinë e gjestit të Lakersave mes kujtimeve ende të forta të viteve të tij në Bregun Perëndimor. Ekipi caktoi ceremoninë për ndeshjen e Lakersave kundër Memphis Grizzlies. Gasol zgjodhi këtë ndeshje për pensionimin e fanellës për një arsye shumë të mirë: ai luajti shtatë sezonet e tij të para në NBA me Memphisin.

Memphis e shkëmbeu Gasolin me Lakersat në shkurt të vitit 2008 dhe marrëveshja i transformoi të dyja skuadrat. Ndërsa Gasol dhe Bryant menjëherë krijuan një partneritet dominues, Memphisi mori një paketë që përfshinte vëllain më të vogël të Gasolit, Marcun, i cili vazhdoi të kishte 11 sezone kryesisht të shkëlqyera. Prindërit e Gasolit, vëllai e motra Marc e Adria, Vanessa Bryant dhe pronarja e Lakersave, Jeanie Buss iu bashkuan spanjollit në parket. Gasol ishte vetëm lojtari i dytë spanjoll në historinë e NBA-së dhe i pari që fitoi një unazë, ndërsa ai beson se karriera e gjatë dhe e suksesshme kontribuoi në fshirjen e stereotipit të lojtarit “të butë” evropian. Gasol vuri në dukje se tre evropianë tani janë ndoshta lojtarët më të mirë në ligë: Giannis Antetokounmpo, Nikola Jokiq dhe Luka Donçiq.

Fanella e Gasolit përfaqëson numrin e 13-të të tërhequr nga Lakersat, duke nderuar 12 lojtarë. Numri 8 i fillimit të karrierës së Bryantit dhe numri 24 i karrierës së vonshme të tij janë tërhequr po ashtu.