Skuadra Los Angeles Lakers e ka zbuluar statujën në nder të legjendës së ligës NBA, Kobe Bryant.
Pesë herë kampioni i ligës NBA, Bryant, vdiq në moshën 41-vjeçare në vitin 2020 pas aksidentit me helikopter, bashkë me vajzën 13-vjeçare, Gianna, dhe shtatë të tjerë.
Statuja e bronztë, e gjatë afër gjashtë metra, është vendosur jashtë shtëpisë së Lakersit, “Crypto.com Arena”.
Statuja e Bryantit është me fanellën e Lakersit, skuadrës me të cilën luajti në gjithë karrierën e tij.
Ish-trajneri Phil Jackson dhe gruaja e Bryantit, Vanessa, po ashtu ishin të pranishëm në këtë ceremoni.
Pasi u zbulua statuja e Bryantit, Lakersi luajti kundër Denver Nuggets me fanella të zeza dhe u mposht 114:106. Këto fanella ishin dizajnuar bashkë me Bryantin dhe për herë të parë ishin veshur në vitin 2018.
Jamal Murray ishte më i miri në fitoren e Denverit me 29 pikë, 11 asistime e shtatë kërcime, në fitoren e shtatë rresht të kampionit në fuqi ndaj Lakersit.
Anthony Davis udhëhoqi Lakersin me 32 pikë, kurse LeBron James shtoi 25 të tjera, por të pamjaftueshme për ta shmangur disfatën.
Stephen Curry ndërkohë shënoi 42 pikë në fitoren e Golden State Warriors ndaj Indiana Pacers, 131:109.
Minnesota Timberwolves mposhti Milwaukee Bucksin 129:105, kurse Detroit Pistons në kohën shtesë fitoi ndaj Portland Trail Blazers, 128:122.
Luka Donçiq shënoi 39 pikë në fitoren e Dallas Mavericks 122:108, ndaj New York Knicks.
Fitore të enjten pas mesnate shënuan edhe Orlando Magic, Cleveland Cavaliers, Chicago Bulls e Phoenix Suns.