Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Gashi thotë se më 27 shkurt do të testohet palestra në Rahovec

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi i shoqëruar nga kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi vizituan palestrën sportive në Rahovec për të parë nga afër punimet e realizuara deri më tani në këtë objekt sportiv, projekt kapital në të cilin MKRS-ja ka investuar, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Gashi deklaroi se ndodhet në këtë palestër për të parë nga afër punimet e realizuara deri më tani në këtë objekt sportiv dhe për të rikonfirmuar përkushtimin e tij për mbështetjen e vazhdueshme që kjo palestër të përfundohet sa më parë, transmeton Koha.net. .

“Ndodhem për herë të tretë në Rahovec dhe pikërisht në këtë palestër dhe jemi në fazën përfundimtare të kryerjes së punimeve ashtu që kjo palestër të jetë e gatshme për të zhvilluar gara”, u shpreh Gashi. “Natyrisht, se puna më e madhe është kryer në këta tre-katër muajt e fundit prej kurse jemi dakorduar me kryetarin Latifi që ta kemi të gatshme palestrën për zhvillimin e Kupës së Kosovës në basketboll. Është një moment jashtëzakonisht i mirë që përmes këtyre garave që ta testojmë palestrën e Rahovecit”.

Sipas tij është fat i mirë dhe ditë e madhe për Rahovecin, për sportistët e sportdashësit që ta kenë një projekt kaq të madh i cili ka një vlerë rreth 3 milionë euro.

Gashi shpjegoi tutje se palestra do të ketë një kapacitet me 2200 ulëseve statike me mundësi të ulëseve teleskopike nëse do të jetë e nevojshme.

“E kemi edhe një fazë të fundit për të përfunduar në tërësi projekti dhe kjo palestër do t’u dorëzohet juve si kryetar i Komunës dhe përmes juve sportistëve dhe të gjithë qytetarëve të Rahovecit”, tha Gashi duke pohuar se është palestra e dytë këtë vit që do të inaugurohet në Kosovë.

Ministri tha se këtë vit do të përfundohen edhe palestrat tjera punimet në të cilat kanë zgjatur me vite.

Edhe MKRS-ja investon tri projekte kapitale në Rahovec me mbi 2 milionë euro Arbëri MKRS-ja investon tri projekte kapitale në Rahovec me mbi 2 milionë euro

“Do të punojmë me një përkushtim të madh që të finalizojmë projektet e mbetura me vite”, tha ai.

Ndërkaq kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi, falënderoi ministrin Gashi për angazhimin për kujdesin dhe mbështetjen e projektit të palestrës në Rahovec.

“Edhe pse ka zgjatur si projekt me vite të tëra, falë ministrit dhe stafit të tij objekti gati plotësisht është i shfrytëzueshëm për të filluar ndeshjet për kupën e Kosovës në basketboll”, u shpreh mes tjerash Latifi.