Sport

Gashi refuzon të kthehet te Grasshopperi

Sulmuesi kosovar Shkëlzen Gashi do ta respektojë kontratën e tij me Colorado Rapids deri në fund, ani pse klubi nga liga MLS më nuk llogaritë në shërbimet e tij.

“Blick” ka njoftuar të martën se Gashi ka refuzuar ofertën e ekipit nga Zvicra, Grasshopper që të kthehet për të luajtur në Evropë.

30-vjeçari nuk është pjesë e ekipit Colorado prej fillimit të muajit prill, por po refuzon të shkëpusë kontratën, e cila është e vlefshme deri në fund të këtij viti dhe nga e cila do të përfitojë rreth një milion franga zvicerane, transmeton “Koha Ditore”. Ai nuk dëshiron të largohet nga SHBA-ja, edhe pse po stërvitet me trajner personal. Gashi në fillim të vitit 2016 iu bashkua ekipit të Colorados nga Baseli për 3.5 milionë euro.

Në 64 ndeshje të zhvilluara në MLS, Gashi ka shënuar 14 gola dhe ka bërë gjashtë asistime. Ai ka qenë pjesë e Grasshopperit për dy vite (2012-2014), kurse karrierë në Zvicër ka bërë edhe tek Aarau, Xamaxi, Zuerichu, Bellzinzona e Schaffhauseni.

Gashi ka edhe 16 ndeshje dhe një gol të shënuar me Kombëtaren e Shqipërisë. Me të luajti në evropianin “Franca 2016”.