Derbi i javës së 25-të ndërmjet Gjilanit dhe Llapit është mbyllur pa fitues. Dueli që është luajtur të dielën në stadiumin me bari sintetik në Gjilan ka përfunduar me rezultatin 1:1. Llapi ishte afër të merrte pikë të plota. Po fitonte me golin e Francisco Riveras, që e shënoi në pjesën e parë (35’). Në të dytën meksikani Rivera u ndëshkua me karton të kuq, ndërkaq Gjilanin nga humbja e shpëtoi Shend Kelmendi që shënoi në kohën shtesë.
Pas ndeshjes, trajner i Llapit, Tahir Batatina, ka kritikuar ashpër gjyqtarin kryesor Grsporamos Shala. Batatina ka deklaruar se Shala ia mori fitoren skuadrës së tij. Sipas Batatinës, Gjilani nuk do të mund të merrte pikë deri në mëngjes.
“Unë jam i zhgënjyer me rezultatin. Ky arbitër nuk e meriton të referojë në Superligë. Gramoz Shalës duhet t’i vijë marre. Sot u vërejt se që nga sekonda e parë kishte ardhur të na mposhtë. Vetëm karakteri i Llapit ia doli. Këto pikë i mori Gramos Shala e jo Gjilani. Çdo kontakt i yni ka qenë faull për kundërshtarin. Duhet t’i vijë marre, sepse njerëzit po investojnë miliona. Ai e di më së miri me njerëzit që janë atje në Federatë se çka kanë bërë sot. E kemi dominuar Gjilanin. Deri në mëngjes Gjilani nuk do të shënonte. Këto pikë le t’i marrë Gramozi le t’i dërgojë te shtëpia. Sa të jam unë Gramos Shala më nuk do t’i referojë Llapit. Përgjegjësia është e tij personale”, u shpreh Batatina.
Ai mendon se gjyqtari Shala ka dhënë karton pa nevojë dhe nuk e meriton t’i drejtojë derbit e elitës së futbollit kosovar.
“Nuk ishte për karton të kuq, sepse ishte në mes të fushës. Ka dhënë kartonë pa nevojë. Nuk e meriton të jetë në derbi Gramos Shala. Ne kemi pasur gjithçka. Nuk na ka lënë të luajmë futboll. Çdo ndërhyrje ka dhënë karton. Në fillim ka dhënë pesë kartonë të verdhë. Gjilanit ia uroi një pikë. Kjo është humbje për ne. Llapin mund ta shohë vetëm në televizor, me i referuar më jo”, përfundoi Batatina.
Llapi ka mbetur prapa në garë për titull. Zë vendin e katërt me 41 pikë, dhjetë më pak se Ballkani që është lider.
Te Gjilani nuk u morën fare me gjyqtarët. Ndihmëstrajneri i Gjilanit, Alban Hyseni, është shprehur i pakënaqur me barazimin ndaj Llapit.
“Nuk jemi të kënaqur me këtë rezultat pasi dihen objektivat. Në 20 minutat e para nuk ishim në element. Në pjesën e dytë kishim më shumë, e kontrolluam ndeshjen. Futbollistët e dhanë maksimumin dhe dëshira për fitore nuk mungoi. Duke e parë se si kemi luajtur në pjesën e dytë, besoj se në këtë ndeshje e kemi merituar fitoren. Kemi bërë disa lëvizje taktike ku kemi tentuar të ndalim Llapin dhe me disa ndërrime ta freskojmë ekipin”, deklaroi Hyseni.
Me 48 pikë, Gjilani zë vendin e dytë. Ka tri pikë më pak se Ballkani që është në pozitën e parë.
Ndërkohë në mbrëmje trajneri i Gjilanit, Ismet Munishi, ka reaguar përmes një postimi. Sipas tij, Gjilani mbetet ekipi më i dëmtuar në Superligë. Madje, ai ka paraqitur disa grafika, në situata për të cilat pretendon se Gjilani ishte dëmtuar në ndeshje ndaj Llapit. Bëhet fjalë për një penallti dhe një ofsajd.
Kritika në drejtim të gjyqtarëve ka pasur edhe trajneri i Malishevës, Arsim Thaqi, ani pse skuadra që ai drejton fitoi ndaj Drenicës si mysafire, 3:2.
“I përgëzoj lojtarët për angazhimin, pasi luajtëm në një fushë të rënduar. Pikët kanë qenë të rëndësishme dhe arritëm t’i fitojmë. Shpresojmë të kemi rezultate pozitive edhe në ndeshjet e radhës. Motivi i lojtarëve është shumë i madh. Por dua të theksoj se shumë herë gjyqtarët anojnë kah vendësit. Agon Xhaka u ndëshkua me karton të kuq dhe mendoj se ky vendim i gjyqtarit duhet të rishqyrtohet. Tani kemi VAR-in, por edhe me VAR disa ndeshje nuk janë menaxhuar mirë. Shpresojmë që të adaptohen dhe ta marrin veten. Korrektësia në këto rrethana është virtyt dhe Drenica ka qenë gjithnjë mikpritëse. Por, edhe gjyqtarët duhet të jenë korrektë”, ka thënë Thaqi.
Malisheva zë vendin e gjashtë me 32 pikë, sa ka edhe Drenica një pozitë më poshtë.