Bayern Munichu është kthyer në krye të Bundesligës pasi mposhti rivalin kryesor, Borussia Dortmundin. Por gara më e fortë për titull ndër vite po ekspozon tensione jo të zakonshme te skuadra bavareze.
Shefi ekzekutiv i Bayernit, Oliver Kahn, dhe ish-lojtari, Lothar Matthaus, patën një shkëmbim të ashpër fjalësh të shtunën përpara fitores së Bayernit ndaj Dortmundit, me Kahnin që mbronte trajtimin e klubit ndaj Julian Nagelsmannit, i cili u shkarkua nga posti i trajnerit një javë më parë.
Kahn pranoi se kishte qenë një “katastrofë” që Nagelsmann mësoi për shkarkimin e tij nga mediat dhe jo drejtpërdrejt nga klubi, por mohoi se Bayernit ishte fajtor, duke thënë se ishte përpjekur disa herë ta merrte atë në telefon. Nagelsmann ishte në pushime në atë kohë, gjatë ndeshjeve të përfaqësueseve. Ekipi përfaqësues i trajnerit më vonë kundërshtoi rrëfimin e Kahnit, duke thënë se ai nuk kishte dëgjuar asgjë nga klubi, përpara se të telefononte drejtorin sportiv të Bayernit, Hasan Salihamixhiqin, për një shpjegim pasi kishte parë raportimet e mediave për shkarkim.
Kahn kundërshtoi Matthausin – i cili tani punon si ekspert – për sugjerimin se stili i menaxhimit të Bayernit kishte ndryshuar për keq që kur ish-krerët e klubit Karl-Heinz Rummenigge dhe Uli Hoenes u larguan. Kahn tha se Matthaus duhet të jetë “shumë, shumë i kujdesshëm” për atë që tha. Është ende e paqartë nëse Bayerni vendosi të shkarkojë Nagelsmannin vetëm pasi Thomas Tuchel kishte pranuar të merrte drejtimin. Shkarkimi i Nagelsmannit ishte befasues, sepse Kahn dhe Salihamixhiq kishin mbështetur publikisht trajnerin më parë. Tuchel, i cili tha se mendonte se Bayerni po pyeste për gatishmërinë e tij gjatë verës, tha se ishte “i habitur që biseda ishte për angazhimin e menjëhershëm”.
Lojtarët Joshua Kimmich dhe Leon Goretzka, shprehën dyshimet e tyre pas shkarkimit të Nagelsmannit. Goretzna tha se ishte një “tronditje për të gjithë”. Edhe ish-asistenti jetëgjatë i Bayernit,
Hermann Gerland, tha se u largua nga klubi në fund të sezonit të kaluar për shkak të mosmarrëveshjeve me Salihamixhiqin.
“Ndodh që dy njerëz të mos shkojnë mirë”, tha 68-vjeçari Gerland.
Hoenes tha për revistën “Kicker” se Nagelsmann nuk duhej të ishte në pushime në radhë të parë, pas humbjes 2:1 të ekipit në Leverkusen. Thomas Mueller, i cili shënoi dy gola në fitoren 4:2 të Bayernit ndaj Dortmundit, ishte ende në dispozicion për stërvitje në Munih pasi nuk ishte ftuar nga përfaqësuesja e Gjermanisë. Hoenes, i cili ishte president i Bayernit dhe është ende i rregullt në ndeshje, tha se ai mendon se Nagelsmann do të ishte ende trajner nëse Tuchel nuk do të kishte pranuar të merrte drejtimin.
Bayerni kryeson Bundesligën me dy pikë më shumë se Dortmundi kur kanë mbetur edhe tetë xhiro deri në fund të sezonit. Bayerni pret Freiburgun në çerekfinalen e Kupës së Gjermanisë të martën, pastaj me të njëjtin kundërshtar përballet edhe në ligë të shtunën, përpara se të vizitojë Manchester Cityn për ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve, më 11 prill.