Përfaqësuesja e Ganës në futboll është e gatshme për hakmarrje, pasi ka rënë në një grup me Uruguain në Botërorin 2022.
Ndeshja e tyre në Grupin H, ku “Yjet e Zinj” takohen edhe me Portugalinë dhe Korenë e Jugut, do të jetë përsëritje e çerekfinales së Botërorit të vitit 2010.
Gana ishte eliminuar në penallti nga Uruguai në Afrikën e Jugut, pasi Asamoah Gyan humbi një penallti në vazhdime. Penalltia u shkaktua për lojë me dorë të Luis Suarezit, që u përjashtua. Suarez shpëtoi gol të sigurt, duke ndalur topin me dorë në vijë të portës.
“Ne besojmë se do të jetë koha e hakmarrjes”, ka thënë presidenti i Federatës së Futbollit të Ganës, Kurt Okraku për BBC.
“Ne menduam se e kishim fituar qartë atë ndeshje të veçantë. Por ndodhi ajo pritje nga Suarez. Është shumë interesante për ne të luajmë kundër Uruguait sërish. Pa dyshim që shpresojmë që kujtimet të jenë të bukura këtë herë”, ka shtuar i pari i futbollit të Ganës.
Sulmuesi Suarez, tani është tek Atletico Madridi, pas shkëlqimit te Liverpooli dhe Barcelona. Ai vazhdon të luajë për dy herë kampionin e botës, Uruguain. Por ka pak gjasa që ndonjë lojtar i Ganës të jetë i gjeneratës që luajti 12 vjet më parë.
Edhe
Gana e Uruguai takohen sërish në Kupën e Botës pas dramës së vitit 2010
Prej përfaqësueseve afrikane, Tunizia do të luajë me kampionen në fuqi, Francën, ndërsa Kameruni është në grup me pesë herë kampionin e botës, Brazilin. Fituesi i Kupës Afrikane, Senegali, do të luajë me Katarin nikoqir, ndërsa Maroku është në grup me Belgjikën, që është e dyta në ranglistën e FIFA-s.
Vetëm tri përfaqësuese nga Afrika kanë kaluar në çerekfinale të Botërorit deri më tani. Këtë e kanë bërë Kameruni në vitin 1990, Senegali në vitin 2002 dhe Gana në vitin 2010.
“Kroacia është nënkampione e botës, Belgjika është e dyta në ranglistën botërore. Është grup i vështirë, por unë kam pak informata për Kupën e Botës. Dhe mund të them se çdo gjë është e mundur. E kam udhëhequr Algjerinë drejt raundit të dytë në vitin 2014 dhe ishim gati që ta mposhtnim Gjermaninë. Pse të mos e përsërisim të njëjtën me Marokun”, ka thënë selektori i Marokut, Vahid Halilhoxhiq.