Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Gabimin në Prishtinë, Domgjoni e Idrizi presin ta përmirësojnë në Athinë

Prishtinë, 11 nëntor – Toni Domgjonit dhe Blendi Idrizit nuk i është dhënë rasti të luajnë asnjë minutë të mërkurën mbrëma për Përfaqësuesen e Kosovës në miqësoren e humbur 2:0 nga Jordania në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Por, të dy thonë se disfata ka qenë e dhimbshme, ndërsa dështimin në Prishtinë presin ta përmirësojnë në Athinë. “Dardanët”, të dielën në Athinë, e luajnë ndeshjen e fundit kualifikuese për Botërorin “Katari 2022”. Humbja nga Jordania, për Kosovën ishte e katërta rresht. Më shumë se kjo disfatë, futbollistët e Kosovës kanë marrë kritika për paraqitjen që e patën në fushë. Mungesën e paraqitjes së mirë në fushë e kanë pranuar edhe vetë futbollistët. Kritikave për mënyrën e lojës nuk i ka shpëtuar as përzgjedhësi i përkohshëm, Primozh Gliha. Gliha ka qenë ndihmës i parë i ish-përzgjedhësit Bernard Challandes që u largua muajin e kaluar në mungesë të rezultateve. Domgjoni është në pritje të debutimit te Kosova. Ai nuk është angazhuar as në dy ndeshjet e muajit të kaluar. Por, ai pret nga përzgjedhësi i përkohshëm, slloveni Gliha, t’ia mundësojë të bëjë paraqitjen e parë me fanellën e Kosovës. Domgjoni dhe tetë futbollistë të tjerë të Kosovës të enjten zhvilluan stërvitje në “Fadil Vokrri”. Ndërkohë, ata që luajtën ndaj Jordanisë ishin në rigjenerim.

“Stërvitja ka qenë e mirë me intensitet të lartë. Ndaj Jordanisë nuk ka qenë lojë e mirë, por ka qenë miqësore dhe nuk kemi humbur pikë, ndërsa tani duhet të koncentrohemi për ndeshjen e ardhshme atë kundër Greqisë. Do të mundohemi ta bëjmë më të mirën për të fituar për ‘Dardanët’ dhe gjithë Kosovën. Sigurisht që kam dëshirë të debutoj për Kosovën. Duhet ta harrojmë humbjen nga Jordania dhe të koncentrohemi për ndeshjet e ardhshme. Atmosfera është e mirë, por pas humbjes jemi të gjithë nervoz, por duhet të koncentrohemi për ndeshjen e ardhshme për ta dhënë maksimumin”, ka thënë Domgjoni që është pjesë e skuadrës holandeze, Vitesse.

Domgjoni, si shumë futbollistë tjerë të Kosovës ka luajtur fare pak për klubin e tij.

Edhe Blendi Idrizi pret të luaj në Athinë, ndonëse në dy ndeshjet e fundit ka luajtur gjithsej 25 minuta për Schalken në Bundesliga 2, pas rikthimit nga lëndimi, që e mbajti disa muaj jashtë.

“Ata që nuk kemi luajtur ose që luajtën pak ndaj Jordanisë, mund të them se kemi bërë një stërvitje të mirë dhe intensive. Dita e djeshme besoj ka qenë pak e vështirë kemi qenë të demoralizuar dhe secili si profesionistë që jemi e kanë analizuar lojën e vet dhe nga sot duhet të mendojmë për lojën ndaj Greqisë. Duhet analizuar gjithë lojën për të parë se çka ka shkuar keq në aspektin kolektiv apo individual. Ndaj Greqisë duhet të tregojmë që ka ndodhur një herë dhe nuk duhet ta përsëritim fytyrën e njëjtë. Duhet të tregojmë një fytyrë tjetër ndaj Greqisë. Si lojtar nuk do të shkojmë atje për të mos fituar. Duhet ta japim maksimumin për të arritur fitore”, ka thënë Idrizi.

Ndeshja ndërmjet Kosovës dhe Greqisë, zhvillohet të dielën prej orës 20:45 dhe i takon Grupit B kualifikues për Kampionatin Botëror të vitit të ardhshëm. Kosova është e fundit në grup me katër pikë, sa ka edhe Gjeorgjia në pozitën e parafundit. Suedia është e para me 15 pikë të mbledhura, kurse Spanja në vendin e dytë me 13 pikë. Greqia renditet e treta në tabelë me nëntë pikë të tubuara pas gjashtë ndeshjeve të luajtura, një më pak se “Dardanët”.