Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka nisur përgatitjet për dy ndeshjet e radhës.
Nën udhëheqjen e përzgjedhësit të përkohshëm, Primozh Gliha, “Dardanët” do të synojnë të kthehen te fitorja.
Kosova ndeshjen e parë e luan të mërkurën ndaj Jordanisë në stadiumi “Fadil Vokrri’.
Ndaj Greqisë të dielën tjetër luan ndeshjen e fundit kualifikuese për Botërorin 2022. Futbollisti i Luzernit, David Domgjoni beson se “Dardanët” do të arrijnë fitore në dy takimet. “Në stërvitjen e parë gjithçka ka shkuar siç është më së miri edhe pse nuk kanë ardhur akoma lojtarët dhe nuk kemi qenë të gjithë për shkak të udhëtimeve. Me trajnerin e ri kemi filluar të mendojmë për dy ndeshjet e radhës që shpresojmë të marrim maksimumin. Jemi të motivuar dhe gjithçka ka shkuar në rregull. Të shohim stërvitjet e radhës kur të jemi të gjithë. Edhe pse është ndeshje miqësore ajo me Jordaninë, është e rëndësishme. Do të futemi për të marrë maksimumin, për të treguar vetën secili. Kur të veshim fanellën e Kosovës nuk ka ndeshje miqësore apo zyrtare, të gjitha ndeshjet janë me motivim të lartë. Shpresojmë të marrim fitore dhe të vazhdojmë për ndeshjen e radhës me Greqinë”, deklaroi Domgjoni.
Edhe Valon Berisha ka theksuar se është i lumtur që është bashkuar me përfaqësuesen. Sipas Berishës, Kosova në dy ndeshjet luan për rezultat pozitiv.
“Me rezultat pozitiv të krijojmë atmosferë për të nisur një Kosovë të re”, ka thënë Berisha.