Përzgjedhësi i përkohshëm i Përfaqësueses së Kosovës në futboll, slloveni Primozh Gliha, ka thënë se pret angazhim më të madh të lojtarëve në ndeshjen ndaj Greqisë pas humbjes nga Jordania në miqësore. Kosova u mposht 2:0 në Prishtinë nga Jordania, kurse të dielën mbrëma do të përballet me Greqinë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror “Katari 2022”.
Gliha i ka pranuar kritikat për paraqitjen e Kosovës ndaj Jordanisë, që sipas tij ishin me vend, dhe pret një fytyrë tjetër të ekipit kundër Greqisë. Për Kosovën, dueli me Greqinë është i fundit në kuadër të ciklit eliminator të Botërorit të vitit të ardhshëm.
Ndeshja nis në orën 20:45 dhe zhvillohet në stadiumin olimpik “Spyros Louis” në Athinë dhe i takon Grupit B.
Aktualisht, Kosova është e fundit në grup me katër pikë të mbledhura, pesë më pak se Greqia që zë vendin e tretë. Grupit i prin Spanja me 16 pikë, një më shumë se Suedia që renditet e dyta, ndërsa Gjeorgjia ka shtatë pikë dhe është e parafundit.
Kosova në ndeshjen ndaj Greqisë futet pas një serie negative, ku ka regjistruar katër humbje në po aq ndeshje të luajtura prej muajit shtator. Ndërsa, Greqia ditë më parë u mposht në shtëpi nga Spanja me rezultatin minimal 1:0. Ndeshja e parë kualifikuese mes Kosovës e Greqisë, e zhvilluar në Prishtinë më datën 5 shtator, kishte përfunduar pa fitues – 1:1. Në fakt, Kosova kishte shënuar në minutat shtesë të ndeshjes për të siguruar një pikë.
Edhe
Gliha i vendosur për fitore
E sa i përket ndeshjes në Athinë, Gliha ka thënë se nuk do të jetë aspak e lehtë, por slloveni pret ta shohë në fushë një Kosovë kompakte, që do të zbatojë të gjitha ato që i ka bërë në stërvitje gjatë këtyre ditëve. Kosova të shtunën mbrëma e ka mbajtur stërvitjen e fundit para përballjes me Greqinë.
“Para ndeshjes me Jordaninë, e kam thënë se kemi nevojë për fitore për ta ndryshuar mentalitetin. Kështu që, besojmë në fitore dhe besojmë se mund ta mposhtim çdo kundërshtar. Mirëpo, ndeshja ndaj Greqisë do të jetë krejtësisht ndryshe prej asaj me Jordaninë. Do të kemi përballë një ekip të mirë që aplikon lojë ofensive, por futbolli ndonjëherë është i çuditshëm dhe magjitë mund të ndodhin në një ndeshje dhe çdokush mund ta mposhtë çdo kënd. Secili futbollist duhet të japë maksimumin duke e dhënë më të mirën në fushë dhe vetëm në këtë formë mund të nxjerrim më të mirën nga lojtarët. Megjithatë, do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, por ne do të japim gjithçka nga vetja dhe do të shohim se si rrjedhin gjërat”, është shprehur Gliha. “Kritikat ishin të mirëseardhura dhe duhet të jemi të hapur për kritikat, pasi nuk mund të jeni trajner i futbollit nëse nuk i pranoni. Duhet të jemi kompaktë në këtë ndeshje dhe të arrijmë të zbatojmë të gjitha ato që i kemi bërë në stërvitje”.
E mbrojtësi i krahut, Mërgim Vojvoda, ka premtuar se të gjithë lojtarët do ta japin maksimumin kundër Greqisë. Vojvoda, që u paraqit në konferencën për shtyp përkrah përzgjedhësit Gliha, ka thënë se atmosfera në ekip është shumë e mirë dhe se synohet fitorja në Athinë.
“Për ne, çdo ndeshje është e rëndësishme dhe në secilin takim synojmë ta japim maksimumin që është shumë e rëndësishme. Atmosfera në ekip është shumë e mirë dhe ka rëndësi të madhe për ne që të marrim tri pikë në këtë takim”, është shprehur Vojvoda. “Mendoj se kemi mundur të bëjmë më shumë se që kemi bërë deri më tani në këto kualifikime, por duhet të shohim përpara dhe të mundohemi të japim më të mirën. Nuk e meritojmë të jemi në këtë pozitë dhe pres një rezultat pozitiv në duelin e fundit”.
Përzgjedhësi i Greqisë, John van’t Schip, e ka vlerësuar lart Kosovën. Sipas tij, Kosova është një ekip shumë i rrezikshëm, por ka shtuar se ekipi i tij do të futet në fushë vetëm për fitore.
Edhe
Gliha për KOHËN: Në reprezentacion lojtarët duhet të vdesin në fushë
“Kosova ka një ekip shumë të mirë. Është kundërshtar i rrezikshëm me lojtarë të fortë dhe të shpejtë. Mbrojtësit e Kosovës janë agresivë. Ne duhet të jemi të fokusuar, të kemi posedimin e topit dhe të jemi në pozitën për ta fituar shpejt topin. Nuk do të jetë ndeshje e lehtë, por duam të bëjmë gjithçka për të marrë tre pikë nga ky duel”, është shprehur përzgjedhësi Van’t Schip.
Në të vërtetë, ndeshja me Greqinë nuk është e fundit për Kosovën vetëm në ciklin eliminator të Botërorit “Katari 2022”. Gjithashtu, është e fundit edhe për këtë vit. Për Kosovën, kjo është hera e dytë që paraqitet në kualifikimet për Kampionatin Botëror. Herën e parë u paraqit në eliminatoret për Botërorin “Rusia 2018” dhe përfundoi në pozitën e fundit në grup me vetëm një pikë të mbledhur.