Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Te Kosova optimistë para nisjes për në Athinë

Atmosfera ishte pozitive te futbollistët e Përfaqësueses së Kosovës në stërvitjen e mbajtur të enjten mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë. Në fakt, përkushtimi i lojtarëve ishte maksimal dhe dukej se ishte rikthyer energjia pozitive në ekip pas zhgënjimit të përjetuar në humbjen nga Jordania (2:0) në ndeshjen miqësore të luajtur të mërkurën mbrëma në Prishtinë. Stërvitja e së enjtes ishte e fundit për Kosovën para nisjes për në Athinë, ku do ta zhvillojë ndeshjen kundër Greqisë në kuadër të Grupit B kualifikues. Kjo do të jetë edhe ndeshja e fundit në kuadër të kualifikimeve për kampionatin botëror “Katari 2022”. Kosova të shtunën në mëngjes niset drejt Athinës, ku pasdite do ta zhvillojë stërvitjen në stadiumin olimpik “Spyros Louis”, në të cilin të dielën prej orës 20:45 do të përballet me Greqinë. Kosova zë vendin e fundit në grup me katër pikë të mbledhura, pesë më pak se Greqia që është e treta. Ndërkohë, Gjeorgjia është e parafundit me shtatë pikë pas fitores që e arriti të enjten në Batumi 2:0 ndaj Suedisë. Grupit i prin Spanja me 16 pikë, e përcjellë nga Suedia me 15 sosh. Stërvitja e fundit në Prishtinë ishte mjaft intensive dhe të pranishëm ishin të gjithë futbollistët, me përjashtim të portierit Visar Bekaj, që nuk u paraqit fare për shkak të një shqetësimi të lehtë në shpinë, ka njoftuar Federata e Futbollit e Kosovës (FFK). Krahas ushtrimeve të zakonshme fizike dhe lojës në gjysmëfushë, përzgjedhësi i përkohshëm i Kosovës, slloveni Primozh Gliha ka punuar edhe në aspektin tekniko-taktik. Mesfushori Herolind Shala ka insistuar se disfata nga Jordania tashmë është harruar dhe ndaj Greqisë do të dalin në fushë për një rezultat pozitiv. Shala do të jetë titullar te Kosova, pasi është konfirmuar nga përzgjedhësi Gliha pas ndeshjes me Jordaninë.

“Stërvitja ka shkuar në mënyrën më të mirë, kemi pasur më shumë intensitet, jemi përgatitur maksimalisht për ndeshjen me Greqinë, pasi e dimë që është një ndeshje e rëndësishme. E dimë që do të jetë një ndeshje e vështirë me Greqinë por shkojmë me optimizëm dhe shpresojmë në rezultat pozitiv, na duhet shumë punë dhe të punojmë së bashku më shumë në lojë. Atmosfera është shumë e mirë, edhe kur të kemi rezultate jopozitive është e rëndësishme të jemi bashkë dhe të kemi një atmosferë të mirë, pasi me atmosferë të keqe nuk mund të arrish asgjë”, është shprehur Shala.

Ndërkohë, mbrojtësi i krahut, Mërgim Vojvoda, ka thënë se synimi i Kosovës ndaj Greqisë është që ciklin eliminator ta mbyllë në mënyrën më të mirë të mundshme, me një rezultat të favorshëm. Vojvoda, gjithashtu ka thënë se pret angazhim maksimal prej të gjithë futbollistëve në këtë takim.

“Atmosfera është shumë e mirë dhe besoj se morali është rikthyer pasi kemi pasur nevojë pas kësaj humbjeje. Tani të gjithë fokusin e kemi për ndeshjen me Greqinë, do të shkojmë për fitore, shpresojmë të bëjmë sa më mirë. Jemi të fokusuar për ndeshjen e ardhshme dhe të jemi të fokusuar dhe 100 për qind për tri pikë, edhe pse nuk ka shanse për kualifikim, megjithatë ne do të udhëtojmë për fitore. Çdo lojtar jep maksimumin kur hyn në fushë dhe këtë do ta bëjmë edhe në ndeshjen e ardhshme”, është shprehur Vojvoda.

Kosova në ndeshjen ndaj Greqisë futet pas një serie prej katër humbjeve rresht, përfshirë këtu edhe miqësoren nga Jordania. Në ndeshjen e parë kundër Greqisë, të luajtur në Prishtinë në muajin shtator, Kosova pati barazuar 1:1 në fund të takimit. Ndërkohë, Greqia të enjten mbrëma u mposht në shtëpi nga Spanja me rezultatin minimal 1:0.

Artikuj të ngjashëm