Sport

Kosova synon “fitore vendimtare” ndaj Greqisë

Hendbollistët e Përfaqësueses së Kosovës janë paraqitur me disponim të mirë në stërvitjen e fundit para ndeshjes kundër Greqisë, që u takon kualifikimeve për Botërorin e vitit 2023.

Hendbollistët janë shumë të motivuar për fitore përballë grekëve, që besohet se mund të jetë vendimtare për avancim tutje.

Ndeshja në mes të Kosovës dhe Greqisë do të luhet të mërkurën nga ora 19:15 në palestrën e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.

Kosova aktualisht është e fundit në grup me një pikë nga dy ndeshje. Një pikë e ka edhe Belgjika. Udhëheq Greqia me katër pikë, ndërsa Turqia i ka dy pikë.

Hendbollisti i Kosovës, Kastriot Jupa, thotë se janë përgatitur maksimalisht për ndeshjen ndaj Greqisë.

“Kemi pasur kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur për këtë ndeshje dhe fatmirësisht nuk kemi pasur lëndime dhe jemi skuadër e kompletuar. Do të hyjmë me motiv të madh për shkak se është ndeshja e parë e këtij viti dhe kemi katër finale para vetes dhe duhet gjithsesi ta fillojmë me një fitore që të mbajmë shpresa për një kualifikim të mundshëm tutje”, ka thënë Jupa të martën për KOHËN.

Ai ka theksuar se janë të vendosur për t’ua shkaktuar humbjen e parë grekëve.

“Greqia mendoj se është ekipi më i kompletuar në këtë grup, por mendoj se nesër do ta kenë humbjen e parë prej nesh”, është shprehur pivoti i skuadrës kampione të Kosovës, Besa Famgas.

Kosova kishte humbur nga Turqia në udhëtim, ndërsa barazoi me Belgjikën në Prishtinë. Të dy ndeshjet e nëntorit ishin të forta.

Të fortë e parashikon përballjen ndaj grekëve kapiteni Valon Dedaj. Ai thotë se duhet të luftojnë si ekip për ta mposhtur Greqinë.

“Greqia është në nivel me neve, por besoj se nëse luajmë mirë siç dimë të luajmë në Kosovë, besoj se mund ta fitojmë. Përgatitjet kanë qenë shumë të mira, pasi prej 16 dhjetorit jemi mbledhur dhe kemi shpresë se në Kosovë jemi më të mirë se të tjerët”, është shprehur Dedaj.

Organizatori i lojës, Dedaj, pret mbështetje të madhe nga shikuesit.

“Të gjithë duhet të jemi pozitivë dhe nuk duhet ta ulim kokën nëse jemi në disavantazh me dy apo tre gola, por ta kemi kokën lart. Presim t’i kemi shikuesit në nivelin e duhur dhe të na ndihmojnë si herët e tjera dhe besoj se do të kemi suksese të mëdha”, ka shtuar Dedaj.

Përfaqësuesja e hendbollit në dhjetor i ka luajtur dy ndeshje miqësore me Kuvajtin, të cilat i ka fituar.

Hendbollistët e Kosovës vitin e kaluar kanë pasur disa rezultate të mëdha. Ka bërë bujë fitorja ndaj Rumanisë në Bukuresht. Suksese të reja synohen në katër ndeshjet kualifikuese të janarit.

Kosova të dielën e luan edhe ndeshjen e dytë ndaj Greqisë, në udhëtim, derisa më 12 janar luan me Turqinë në Prishtinë. Ndeshja e fundit është më 15 janar me Belgjikën në udhëtim.

Kosova synon dy vendet e para në grup, që mundësojnë avancimin në fazën e dytë kualifikuese për Botëror.

Greqia të martën mbrëma ka stërvitur në Prishtinë. Grekët kanë ardhur me shumë mungesa, por të vendosur për të shënuar fitore.