Sport

Hendbollistët e Kosovës fillojnë përgatitjet për ndeshjet e janarit, synojnë kualifikimin

Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll është grumbulluar të premten në prag të ndeshjeve të fazës së parë kualifikuese për Botërorin 2023.

Hendbollistët e Kosovës kanë ushtruar në Prishtinë, ndërsa menjëherë të shtunën nisen për në Podgoricë, ku e luajnë ndeshjen miqësore ndaj Malit të Zi. Ndeshja me Malin e Zi është të dielën prej orës 17:00.

Javën tjetër vazhdojnë në Prishtinë përgatitjet për ndeshjet e rëndësishme të janarit.

Kosova më 5 e 9 janar takohet me Greqinë, më 12 janar me Turqinë dhe më 15 janar me Belgjikën. Hendbollistët e Kosovës synojnë dy vendet e para në grup, që mundojnë avancimin në fazën e dytë kualifikuese për Botëror.

Nën urdhrat e selektorit Bujar Qerimi të premten ishin shumica e lojtarëve. Kapiteni Valon Dedaj, pastaj Luigj Quni, Bujar Ramosaj, Egzon Gjuka, Leonard Gegaj dhe Liridon Zena nuk do të jenë në dispozicion për ndeshjen me Malin e Zi. Ata pritet të grumbullohen në fillim të janarit.

“Jemi grumbulluar sot, ndërsa synimet tona janë për dy vendet e para në tabelë. Na presin katër ndeshje të vështira. Loja e parë është në shtëpi ndaj Greqisë, ndërsa me Greqinë luajmë edhe në udhëtim. Më pas takohemi me Turqinë në shtëpi dhe në fund me Belgjikën në udhëtim. Shpresojmë të kemi rezultate pozitive si vendas dhe pse të mos kualifikohemi”, ka thënë Drilon Tahirukaj, aloja e djathtë e përfaqësueses së Kosovës.

Kosova aktualisht është e fundit në grup me një pikë nga dy ndeshje. Një pikë e ka edhe Belgjika. Udhëheq Greqia me katër pikë, ndërsa Turqia i ka dy pikë. Kosova kishte humbur nga Turqia në udhëtim, ndërsa barazoi me Belgjikën në Prishtinë. Të dy ndeshjet ishin të forta.

Përfaqësuesja e hendbollit javën e kaluar i ka luajtur dy ndeshje miqësore me Kuvajtin, të cilat i ka fituar. Miqësoret me Kuvajtin dhe ajo e të dielës ndaj Malit të Zi, vlerësohen shumë të rëndësishme.

“Miqësoret janë ndeshje shumë të rëndësishme për përgatitjen tonë. Kemi sjellë shumë lojtarë të rinj që janë një plus i madh për ne, duke rritur konkurrencën në maksimum. Ne lojtarëve kjo na jep motiv më të madh për të punuar. Patjetër që krahas lojtarëve të rinj edhe ndeshjet miqësore janë të mirëseardhura për ne. Në janar kemi ndeshje të rëndësishme dhe këto miqësore na ndihmojnë që deri te ndeshja e parë me Greqinë të ambientohemi dhe pastaj të kemi paraqitje të mira dhe suksese në janar”, ka theksuar aloja e majtë e Kosovës, Lulzim Shabani.

Përzgjedhësi Bujar Qerimi tregon se synimi fillestar është të fitohen dy ndeshjet në shtëpi, me Greqinë më 5 janar dhe me Turqinë më 12 janar.

“Synimi i parë është që në palestrën tonë t’i marrim katër pikë dhe pastaj në bazë të këtyre rezultateve ngrihet morali i ekipit për të shkuar në Greqi apo Belgjikë për të marrë një apo dy pikë tjera. Qëllimi është t’i marrim dy vendet e para, por me çdo pikë që e fitojmë në të njëjtën kohë fitojmë edhe përvojë në këto gara sepse ka ripërtëritje të ekipit. Ka lojtarë të rinj që kanë nevojë për përvojë. Mirëpo, synimi ynë gjithmonë mbetet fitorja”, ka theksuar Qerimi.

Selektori Qerimi po ashtu i vlerëson të rëndësishme miqësoret. Në ndeshjet ndaj Kuvajtit janë testuar lojtarë të rinj, ndërsa tashmë është rritur dukshëm baza e përfaqësueses. Për secilën pozitë konkurrojnë nga dy e tre lojtarë.

Këto ndeshje miqësore janë me rëndësi, sepse kemi lojtarë që kemi marrë për të ardhmen. Rëndësia e ndeshjeve është shumë e madhe për ne. Duhet të stabilizojmë këtë ekip për t'i ngritur rezultatet më lart. Po ashtu duhet të përgatitemi fizikisht për shkak se i kemi katër ndeshje dhe është e nevojshme të qëndrojmë dhe të mbajmë cilësi të lojës”, ka shtuar Qerimi.

Hendbollistët e Kosovës këtë vit kanë pasur disa rezultate të mëdha. Ka bërë bujë fitorja ndaj Rumanisë në Bukuresht. Suksese të reja synohen në ndeshjet kualifikuese të janarit.